Ushtari më i dekoruar i Australisë është liruar me kusht, ndërsa përballet me akuza të rënda për krime lufte.
Ben Roberts-Smith, ish-anëtar i forcave speciale australiane, u arrestua javën e kaluar për pesë akuza që lidhen me vrasje të dyshuara gjatë misioneve në Afganistan.
Sipas hetuesve, ai dyshohet se ka vrarë ose ka urdhëruar vrasjen e të burgosurve afganë të paarmatosur në periudhën 2009-2012, ndërsa i mohon të gjitha akuzat.
Vendimi për lirimin me kusht u mor nga gjykata në Sydney, duke marrë parasysh kompleksitetin e çështjes dhe kohëzgjatjen e pritshme të procesit gjyqësor. Megjithatë, ndaj tij janë vendosur kushte të rrepta: duhet të paraqitet në polici tre herë në javë, t’u japë autoriteteve akses në pajisjet elektronike dhe i është konfiskuar pasaporta. Gjykata ka vendosur gjithashtu një garanci financiare prej 250 mijë dollarësh australianë dhe kufizim për lëvizjen brenda vendit.
Kjo çështje vjen pas një procesi civil për shpifje në vitin 2023, ku një gjykatë konstatoi se disa nga akuzat për vrasje kishin “bazë të vërtetë”. Tashmë, në procesin penal, këto akuza duhet të provohen përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Prokurorët e kanë cilësuar çështjen si shumë serioze dhe kanë paralajmëruar për rrezik arratisjeje dhe ndërhyrje në prova, ndërsa mbrojtja argumenton se klienti i tyre ka nevojë për liri për të përgatitur një mbrojtje të drejtë.
Çështja pritet të jetë një nga proceset më të ndërlikuara dhe të ndjekura në historinë e drejtësisë australiane.
Top Channel