Alarmet e rreme për bomba, grupi ekstremist rus dyshohet pas kërcënimeve në mbi 27 fluturime në Europë
Partia e së majtës radikale në Francë, “Franca e Pabindur” (La France Insoumise), e drejtuar nga Jean-Luc Mélenchon, ka përfshirë në programin e saj zyrtar tërheqjen e vendit nga NATO dhe shtetëzimin e operacioneve të mbrojtjes.
Në programin prej 222 faqesh, të publikuar të premten, partia propozon fillimisht largimin e menjëhershëm të Francës nga komanda e unifikuar ushtarake e NATO-s dhe më pas tërheqjen graduale nga vetë aleanca.
Dokumenti parashikon gjithashtu refuzimin e kërkesës së Shteteve të Bashkuara që vendet anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Megjithatë, programi sqaron se një Francë e drejtuar nga Mélenchon do të vazhdonte të ofronte ndihmë për vendet e Bashkimit Evropian, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga traktatet evropiane.
Këto qëndrime nuk janë të reja për liderin e së majtës franceze, i cili i ka shprehur edhe më parë publikisht në intervista. Megjithatë, përfshirja e tyre në programin zyrtar të partisë i jep një peshë më të madhe politike propozimeve për ndryshimin e marrëdhënieve të Francës me aleancën ushtarake perëndimore.
Zhvillimet vijnë në prag të zgjedhjeve presidenciale të prillit, ku sondazhet e fundit kanë vendosur gjithnjë e më shpesh Mélenchon në vendin e dytë. Në rast të një përballjeje në raundin e dytë, ai mund të përballet me lideren e së djathtës radikale, Marine Le Pen, e cila gjithashtu ka shprehur mbështetjen për largimin e Francës nga komanda e unifikuar e NATO-s.
Sa i përket luftës në Ukrainë, “Franca e Pabindur” nuk ka deklaruar shprehimisht se do të ndërpresë ndihmën për Kievin, ndryshe nga qëndrimet e partisë së Le Pen. Megjithatë, ajo kërkon që zgjidhja e konfliktit të arrihet përmes diplomacisë.
Sipas programit, çdo marrëveshje paqeje duhet të mbështetet në garanci të sigurisë kolektive, të dakordësuara mes palëve ndërluftuese dhe pjesës tjetër të Evropës.
Partia e Mélenchon kërkon gjithashtu një kontroll më të rreptë të armëve, duke përfshirë sistemet autonome të armatimit dhe armët bërthamore. Ajo kundërshton garën e armatimeve në hapësirë dhe propozon mbylljen e qendrës hapësinore të NATO-s në Tuluzë.
Nga ana tjetër, programi parashikon që Franca të blejë një anije kozmike orbitale, ndërsa i jep përparësi investimeve në sistemet që shumëfishojnë kapacitetet mbrojtëse, teknologji dhe pajisje që vendi aktualisht i përdor përmes NATO-s.
Propozimet sinjalizojnë një ndryshim të rëndësishëm në politikën e jashtme dhe të mbrojtjes që do të ndiqte Franca në rast të ardhjes së Mélenchon në pushtet.
Top Channel