Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare Jay Rockefeller, trashëgimtari i një prej familjeve më të pasura amerikane që zgjodhi t’i përkushtohej politikës

06/11/2026 21:53

John D. “Jay” Rockefeller IV, ish-guvernator i Virxhinias Perëndimore dhe senator amerikan për 30 vite, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare.

Ai ndërroi jetë të enjten në mbrëmje në banesën e tij në Uashington, sipas Mary Stewart, zëvendëspresidente e marrëdhënieve me jashtë në transmetuesin publik WETA.

Rockefeller ishte pjesë e një prej familjeve më të pasura dhe më të njohura në Shtetet e Bashkuara, por ndryshe nga tradita politike e familjes së tij, ai zgjodhi t’i përkushtohej Partisë Demokratike dhe shërbimit publik. Për rreth gjysmë shekulli, ai ndërtoi karrierën e tij politike në Virxhinian Perëndimore, një prej shteteve më të varfra të Amerikës.

Rrugëtimi i tij nisi në vitin 1964, kur u zhvendos në një komunitet minatorësh në Emmons, ku iu bashkua programit “Volunteers in Service to America”, një nismë që synonte luftën kundër varfërisë. Kjo përvojë, sipas vetë Rockefeller, ndikoi në formësimin e bindjeve dhe vendimeve të tij politike.

“ Ajo shpjegon çdo politikë që kam zbatuar ndonjëherë dhe çdo votë që kam hedhur ndonjëherë”, kishte deklaruar ai gjatë fjalimit të lamtumirës në Senat në dhjetor të vitit 2014.

Në vitin 1966, ai u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve të Virxhinias Perëndimore si demokrat, duke u shkëputur nga tradita republikane e familjes së tij. Më pas shërbeu si sekretar shteti dhe në vitin 1976 u zgjodh guvernator, detyrë të cilën e mbajti për dy mandate.

Gjatë drejtimit të shtetit, Rockefeller u përqendrua veçanërisht në zhvillimin e infrastrukturës, duke mbështetur ndërtimin dhe përmirësimin e rrugëve, urave dhe sistemeve të kanalizimeve. Ai gjithashtu punoi për përmirësimin e kujdesit shëndetësor, mbrojtjen e minatorëve dhe mbështetjen e familjeve të tyre.

Në vitin 1984, Rockefeller fitoi një vend në Senatin amerikan, ku qëndroi për pesë mandate radhazi, deri në vitin 2015. Gjatë karrierës së tij në Uashington, ai drejtoi disa komitete të rëndësishme, përfshirë ato për Tregtinë, Shkencën dhe Transportin, Çështjet e Veteranëve dhe Inteligjencën.

Një nga kontributet e tij më të rëndësishme ishte mbështetja për krijimin e Programit të Sigurimit Shëndetësor të Fëmijëve në vitin 1997, i cili ndihmon familjet me të ardhura të ulëta që nuk përmbushin kriteret për t’u përfshirë në programin Medicaid. Ai mbështeti gjithashtu të drejtat e konsumatorëve dhe zgjerimin e aksesit në internetin me brez të gjerë.

Megjithëse vinte nga një familje me pasuri të jashtëzakonshme, Rockefeller nuk e fshehu asnjëherë përdorimin e parave të tij personale në fushatat politike. Sipas të dhënave të përmendura nga Associated Press, ai shpenzoi të paktën 21 milionë dollarë nga pasuria e tij në garat elektorale, duke fituar të pesë mandatet si senator me diferenca të konsiderueshme.

Ai ishte stërnipi i John D. Rockefeller, themeluesit të kompanisë Standard Oil, ndërsa babai i tij, John D. Rockefeller III, ishte një filantrop i njohur. Xhaxhallarët e tij, Winthrop dhe Nelson Rockefeller, patën gjithashtu karriera të rëndësishme politike si guvernatorë republikanë, ndërsa David Rockefeller drejtoi bankën Chase Manhattan.

Pavarësisht prejardhjes së tij familjare, Jay Rockefeller e konsideronte përvojën në komunitetet e varfra të Virxhinias Perëndimore si momentin që përcaktoi gjithë jetën e tij politike.

Pas largimit nga Senati në vitin 2015, ai u shpreh se ndihej i përmbushur nga karriera e tij publike.

“Nuk mund ta imagjinoj një karrierë më të përmbushur”, deklaroi ai në atë kohë.

Vdekja e tij shënon fundin e një kapitulli të rëndësishëm të familjes Rockefeller në politikën amerikane, ndërsa kontributi i tij në Virxhinian Perëndimore dhe në Senatin e SHBA-së mbetet pjesë e trashëgimisë së tij politike.

Top Channel