Pamje të pabesueshme/ Shoferen e zuri gjumi, makina përfundon brenda dyqanit me rroba dhe “ndërpret” videon “Live”

06/11/2026 22:39

Një incident i pabesueshëm ka ndodhur në Brazil, ku një makinë është përplasur me shpejtësi brenda një dyqani veshjesh pikërisht gjatë një transmetimi live për ofertat e Black Friday.

Ngjarja ndodhi të enjten pasdite, më 5 nëntor, rreth orës 16:30 me orën lokale, në qytetin e Manaus, në shtetin e Amazonas, në dyqanin “Guta”.

Pronarja e dyqanit, biznesmenia Dailane Augusta da Silva Baba, e njohur si Guta, dhe një punonjëse po shfaqnin produktet drejtpërdrejt në rrjetet sociale kur një Jeep Renegade theu xhamat dhe u fut brenda hapësirës tregtare.

Momenti i përplasjes u kap i gjithi nga kamera e përdorur për live-in dhe nga kamerat e sigurisë, video e cila më pas u bë virale.

Sipas dëshmisë së dhënë në Policinë Ushtarake, shoferja e makinës u ka thënë oficerëve të Njësisë së 22-të të Policisë Komunitare (Cicom) se e kishte zënë gjumi gjatë drejtimit të automjetit dhe humbi kontrollin.

Si pasojë e aksidentit, mbeti e plagosur lehtë punonjësja. Pronarja reagoi më pas në rrjetet sociale, duke thënë se të gjithë janë mirë, por ka dëme të shumta materiale.

Autoritetet po hetojnë rrethanat e sakta të aksidentit, ndërsa shoferja është marrë në pyetje dhe po hetohet.

Top Channel