U arrestua në Greqi si vrasës serial, marrin kthesë hetimet 43-vjeçarin shqiptar, çfarë zbuloi policia për Nikolin Palin
SPAK ka përfunduar hetimet pasurore ndaj Nikolin dhe Klevent Gjolenës dhe ka dërguar për gjykim kërkesën për konfiskimin e 16 pasurive të paluajtshme në Tiranë dhe Durrës, me vlerë tregu mbi 2 milionë euro.
Pasuritë përfshijnë apartamente, njësi tregtare dhe garazhe, të regjistruara në emër të tyre, familjarëve dhe personave të lidhur me ta.
Kërkesa për gjykim e procedimit pasuror nr. 5 të vitit 2025 i është paraqitur më 6 nëntor 2026 Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë. Në të përfshihen Nikolin Gjolena, Klevent Gjolena dhe gjashtë persona të tjerë të lidhur me ta.
Hetimi pasuror lidhet me procedimet penale për trafikimin e 485.5 kilogramëve kokainë, të sekuestruara më 24 nëntor 2022 në fshatin Frakull e Madhe të Fierit. Sasia e drogës ishte fshehur në një ngarkesë me pleh organik artificial, e cila ishte trafikuar nga Kolumbia drejt Shqipërisë.
Sipas SPAK, nga hetimet dhe ekspertimi kontabël janë evidentuar pesë transferta monetare në vlerën 42.942 dollarë dhe 404.733 euro, të kryera në emër të familjarëve të personave nën hetim. Paratë kanë ardhur nga vende të Amerikës Qendrore dhe rajonit të Karaibeve, të njohura si parajsa fiskale.
Prokuroria dyshon se Nikolin dhe Klevent Gjolena, si dhe personat e lidhur me ta, nuk kanë arritur të provojnë ligjshmërinë e burimeve financiare të përdorura për krijimin e pasurive.
Në total, bëhet fjalë për 16 pasuri të paluajtshme, nga të cilat 3 apartamente dhe 2 garazhe në Tiranë, si dhe 3 njësi tregtare dhe 8 apartamente në zonën e Plazhit në Durrës.
Vlera e tyre në kohën e nënshkrimit të kontratave llogaritet rreth 1 milion euro, ndërsa sipas çmimeve aktuale të tregut kapërcen 2 milionë euro.
Kujtojmë se me vendimin e datës 26 qershor 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e shpalli fajtor Nikolin Gjolenën për akuzat e ngritura ndaj tij dhe e dënoi përfundimisht me 11 vite e 4 muaj burgim. Vendimi u la në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit më 30 dhjetor 2024.
Top Channel