Statujë gjigante 14 metra e lartë për Papa Leon në Peru, nis vizita e parë e kreut të Vatikanit në Amerikën Latine si Papë

06/11/2026 22:34

Një statujë gjigante, 14 metra e lartë, e Papa Leon XIV do të mirëpresë kreun e Kishës Katolike gjatë vizitës së tij në Peru, në kuadër të udhëtimit të parë në Amerikën Latine që nga zgjedhja e tij në krye të Vatikanit.

Papa Leo XIV niset më 6 nëntor 2026 drejt Amerikës Latine, në një vizitë me një itinerar të ngjeshur që përfshin Uruguain, Argjentinën dhe Perunë. Ky udhëtim ka një rëndësi të veçantë për të, pasi përpara se të bëhej Papë, ai kaloi rreth dy dekada në Peru, ku shërbeu në detyra të ndryshme kishtare dhe fitoi edhe shtetësinë peruane.


Statuja 14 metra e lartë pritet të jetë një nga simbolet më të spikatura të pritjes së tij në vendin që ai e konsideron një pjesë të rëndësishme të jetës dhe shërbesës së tij fetare.

Megjithatë, vizita e Papës nuk do të ketë vetëm karakter fetar dhe simbolik. Itinerari i tij zhvillohet në një moment të ndjeshëm politik për Amerikën Latine, ku qëndrimet e Kishës Katolike për çështjet sociale dhe ekonomike shpesh janë në kontrast me politikat e qeverive aktuale.

Në Argjentinë dhe Peru, Leo XIV do të takohet me presidentët e krahut të djathtë, Javier Milei dhe presidentin peruan. Ndërkohë, në programin e tij janë përfshirë edhe vizita në vende që lidhen me traditën progresiste të Kishës Katolike dhe angazhimin e saj për shtresat më të varfra të shoqërisë.

Në Uruguai, Papa do të vizitojë Casavalle, një nga lagjet më të varfra të kryeqytetit Montevideo, ku pritet të përcjellë një mesazh solidariteti dhe mbështetjeje për komunitetet në nevojë.

Një tjetër ndalesë me rëndësi do të jetë në Argjentinë, ku ai do të vizitojë një shtëpi katolike që kujdeset për personat me aftësi të kufizuara. Kjo vizitë merr një domethënie të veçantë në një kohë kur qeveria e Javier Mileit ka ndërmarrë shkurtime të konsiderueshme të fondeve për shërbimet që mbështesin këtë kategori.

Ndërsa në Çiklajo të Perusë, qytetin ku shërbeu si peshkop, Leo XIV do të lutet në një faltore kushtuar Shën Óskar Romeros, kryepeshkopit salvadorian të vrarë në vitin 1980, pasi kishte denoncuar vazhdimisht shkeljet e të drejtave të njeriut nga ushtria e El Salvadorit.

Romero konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të Kishës Katolike në mbrojtje të të varfërve dhe të drejtave të njeriut. Shërbesa e tij u ndikua nga teologjia e çlirimit, një lëvizje e lindur në Amerikën Latine, e cila vendosi në qendër të besimit luftën kundër varfërisë, pabarazisë dhe padrejtësisë sociale.

Kjo traditë ka qenë për dekada një temë e debatueshme brenda Kishës Katolike dhe ka ndikuar edhe në zhvillimet fetare e politike të rajonit. Për këtë arsye, ndalesat e zgjedhura nga Papa gjatë vizitës së tij shihen si domethënëse, veçanërisht në një periudhë kur kontinenti përballet me përplasje të forta ideologjike.

Kështu, udhëtimi i parë i Papa Leon XIV në Amerikën Latine si kreu i Vatikanit pritet të jetë jo vetëm një rikthim në vendet ku ai ka shërbyer, por edhe një moment i rëndësishëm për të përcjellë qëndrimet e tij mbi solidaritetin, drejtësinë sociale dhe rolin e Kishës në një rajon të përfshirë nga tensionet politike.

Top Channel