Kriza e karburantit, kompanitë ajrore paralajmërojnë anulime fluturimesh në Europë: Deri në fund të majit…
Mes mesazheve të forta për paqen, Papa ka ngritur alarmin për gjendjen e botës, duke akuzuar se ajo po shkatërrohet nga luftërat dhe interesat e ngushta të pushtetit.
Gjatë një vizite në Bamenda, Papa Leoni XIV deklaroi se miliarda dollarë shpenzohen për të vrarë dhe shkatërruar, ndërsa mungojnë fondet për të shëruar, edukuar dhe rindërtuar shoqëritë. Ai kritikoi ashpër “zotërit e luftës”, duke theksuar se shkatërrimi mund të ndodhë në një moment, por rindërtimi kërkon vite, shpesh një jetë të tërë.
Fjalimi i tij u mbajt në një zonë të tensionuar nga konflikti në Kamerunin veriperëndimor, ku mijëra besimtarë u mblodhën në heshtje për të dëgjuar mesazhin e paqes. Papa theksoi se, pavarësisht konflikteve, solidariteti mes njerëzve mbetet forca që mban botën në këmbë.
Vizita e tij u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, ndërsa rajoni është prekur nga një konflikt i gjatë mes qeverisë dhe separatistëve anglofonë.
Ai përshëndeti bashkëpunimin mes komuniteteve fetare, duke vlerësuar faktin që kriza nuk është kthyer në një luftë fetare, por përkundrazi ka afruar më shumë të krishterët dhe myslimanët.
Papa bëri thirrje për unitet dhe përfundimin e dhunës, duke kërkuar një ndryshim të menjëhershëm. Ai gjithashtu denoncoi korrupsionin, varfërinë dhe shfrytëzimin e burimeve të Afrikës nga interesa të jashtme, duke i cilësuar këto si pengesa kryesore për zhvillimin.
Në përfundim të vizitës, Papa lëshoi simbolikisht pëllumba të bardhë, si mesazh për paqe dhe pajtim, duke theksuar se vetëm përmes bashkëpunimit mund të ndërtohet një e ardhme më e qëndrueshme.
Top Channel