Pas eliminimit dramatik nga Champions League përballë Bayern Munich, ylli i skuadrës madrilene, Kylian Mbappé, ka reaguar përmes një mesazhi në rrjetet sociale.

Ndonëse zhgënjimi është i madh, mesazhi i tij është një premtim për ringritje të menjëhershme. Eliminimi nga kompeticioni më i rëndësishëm për klube ka lënë gjurmë te Real Madrid, por kapiteni i Francës ka zgjedhur të mbajë kokën lart. Përmes një postimi në Instagram, Mbappé ka bërë një analizë të shkurtër të asaj që ndodhi në fushë, duke vënë theksin te karakteri i pamposhtur i klubit madrilen.

Deklarata e plotë e Mbappé: “Deri në minutën e fundit provuam gjithçka, por nuk mjaftoi. Është zhgënjyese të eliminohesh nga një kompeticion aq i rëndësishëm, por duhet të shohim drejt së ardhmes. Duhet të bëjmë një analizë të sinqertë me veten tonë, në mënyrë që ky lloj zhgënjimi të mos përsëritet më.”

Mesazhi i tij merr tone akoma më të forta kur flet për identitetin e klubit dhe tifozët:

“NUK DO TË DORËZOHEMI KURRË!!! Te Madridi, dështimi nuk ka qenë kurrë një opsion dhe nuk do të jetë asnjëherë. Ju premtoj një gjë: do të kthehemi te fitorja shpejt, shumë shpejt.”

Kjo deklaratë e parë e Mbappé pas humbjes tregon qartë se sulmuesi po kërkon të marrë rolin e liderit edhe në momente krize. Thirrja e tij për një “analizë të sinqertë” sugjeron se brenda dhomave të zhveshjes kërkohet një autokritikë për të kuptuar se ku çaloi projekti i këtij sezoni në Europë.

Për tifozët “Merengues”, ky premtim është një garanci se ylli i tyre nuk është thyer nga disfata, por po e përdor atë si karburant për sezonin e ardhshëm. Edhe pse rruga në Champions u ndërpre para kohe, sytë e Mbappé janë tashmë te trofeu tjetër.

Top Channel