Rregullat e hyrjes në BE/ Çfarë do t’ju kërkohet për t’u futur në zonën Shengen, aplikim online për lejen

27/08/2024 15:23

Pasaportat, gjurmët e të paktën 4 gishtërinjve dhe fotografi: Kështu do të duhej të dukej nga 10 nëntori i këtij viti hyrja në Bashkimin Evropian dhe në Zvicër, Norvegji, Islandë e Lihtenshtejn – vende anëtare të zonës së lëvizjes së lirë Schengen – për qytetarët e rreth 60 vendeve, përfshirë edhe ata të Ballkanit Perëndimor thotë REL.

Kjo është koha kur nis funksionimin sistemi i ri i hyrje-daljeve, i krijuar nëntorin e vitit 2017, zbatimi i të cilit megjithatë është shtyrë disa herë.

Për verën e ardhshme është paralajmëruar zbatimi edhe i Sistemit të dytë Europian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), i cili u kërkon udhëtarëve nga vendet që kanë regjim pa viza me BE-në, të aplikojnë online për lejen e hyrjes, duke paguar një tarifë prej shtatë eurosh me kartelë bankare.

Pasaportat në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë biometrike, çipat e tyre përmbajnë shenja gishtash dhe fotografi – çfarë i bën plotësisht në përputhje me kushtet që ka kërkuar BE-ja në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë regjim pa viza.

Kushtet e përgjithshme – që dokumentet e udhëtimit të mos skadojnë në më pak se tre muaj nga data kur personi planifikon të kthehet në vendin e tij ose që pasaporta të mos jetë më e vjetër se dhjetë vjet – do të vazhdojnë të mbeten në fuqi.

Me ndryshimet e reja nga mesi i vitit 2025, ETIAS do t’u kërkojë qytetarëve të rreth 60 vendeve të plotësojnë një formular të veçantë nëpërmjet internetit ose aplikacionit celular, përpara se të udhëtojnë.

Me rastin e plotësimit të aplikacionit për herë të parë, pasagjeri fut të dhënat personale, e-mailin dhe numrin e telefonit, si dhe detajet e dokumentit të udhëtimit.

Udhëtari do të duhet, gjithashtu, të fusë detaje rreth arsimit dhe punësimit aktual, si dhe detaje rreth udhëtimit të planifikuar dhe qëndrimit në vendin e BE-së.

Do të kërkohen edhe detaje për çdo dënim penal, për udhëtime në të kaluarën në zona lufte ose zona konflikti, si dhe informacione nëse personi është dëbuar nga ndonjë vend. Udhëtarët do të duhet të paguajnë edhe një tarifë shtesë prej shtatë eurosh, një pagesë që do të realizohet me kartë bankare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA