Mirlind Daku drejt një aventure të re, klubi i Serie A bën gati ofertën për të transferuar sulmuesin e Kombëtares

03/08/2024 10:27

Mirlind Daku mund ta mbyllë me Rubin Kazanin, me sulmuesin e Kombëtares shqiptare që pritet të nisë një aventurë të re këtë sezon.

Për 26-vjeçarin e lindur në Gjilan ka shfaqur interes dhe klubi i njohur italian, Cagliari. Pasi transferoi Alen Sherrin nga Egnatia, klubi që militon në Serie A duket se do edhe një futbollist tjetër shqiptar.

Siç bëjnë me dije mediat ruse, Cagliari ofroi 3 milionë euro për shërbimet e Dakut, një ofertë që u refuzua menjëherë nga ana e Rubin Kazanit.

Tashmë, klubi italian ka rritur ofertën në 5 milionë euro, plus 3 të tjera bonuse në bazë të golave dhe asisteve që ai do të bëjë. Oferta nuk është e keqe, por Rubini duket se është i bindur që nuk do ta lëshojë Dakun pa 10 milionë euro.

Nga ana tjetër, babai i sulmuesit, i cili në të njëjtën kohë është dhe agjenti i tij, është në kontakte të vazhdueshme me Cagliarin, por gjithashtu dhe me CSKA-në e Moskës, Lokomotivën e Moskës dhe disa klube nga Bundesliga gjermane.

Në startin e këtij sezoni, Daku ka luajtur dy ndeshje të plota për Rubin Kazanin, nga të cilat numëron një gol dhe një asist.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA