Vizita e sekretarit Blinken në Tiranë/ Rama: Vlerë e veçantë për Shqipërinë, ritheksoj partneritetin strategjik me SHBA-në

10/02/2024 14:44

Një vlerë të veçantë për Shqipërinë, e cilëson kryeministri Edi Rama vizitën e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, që do të vijë në Tiranë javën e ardhshme.

Kryeministri Edi Rama i ka dhënë mesazhin e parë mikpritës sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken.

Vizita e tij më 15 shkurt në Tiranë, e zbuluar së pari ekskluzivisht nga Top Channel, për Ramën është një vlerë e veçantë për Shqipërinë, kur sekretari i shtetit zgjedh në këto kohë të trazuara për botën të vizitojë rajonin duke u ndalur në kryeqytetin shqiptar.

Kryeministri Rama duke shprehur sigurinë për qëndrueshmërinë e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, rendit virtytet që Blinken do të gjejë këtu:

“Sekretari Blinken në Tiranë do të gjejë një vend aleat të angazhuar për paqen, stabilitetin demokratik dhe bashkëpunimin e gjithanshëm në rajonin tonë. Shqipëria i ka shtrirë dorën e miqësisë të gjithëve në rajon dhe mbështet pa asnjë rezervë përpjekjet e Bashkimit Europian e të Shteteve të Bashkuara për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.  Ai do të gjejë një vend të përkushtuar të NATO-s, një anëtar të gatshëm të Aleancës Euro-Atlantike për të vazhduar investimet e gjithanshme për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse,  në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Vendi ynë është në krah të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit e në kundërvënien ndaj çdo shembëlltyre të totalitarizmit dhe Sekretari i Shtetit do ta gjejë Shqipërinë të vendosur pa rezervë në mbështetjen e luftës së Ukrainës mike për lirinë dhe mbijetesën e saj”.

Teksa premton se Shqipëria do të jetë mirënjohëse për mbështetjen që SHBA ka dhënë në luftën kundër korrupsionit, kryeministri Edi Rama deklaron se reforma në drejtësi do të vazhdojë përpara me fryte.

“Rilindja e besimit të publikut tek drejtësia, falë disa goditjeve kuptimplota antikorrupsion në nivelet më të larta, është një arritje e parë kuptimplotë në rrugën e re të shtetbërjes demokratike. Për të vazhduar me sukses në këtë rrugë tejet sfiduese, asistenca e pandërprerë e Shteteve të Bashkuara në rritjen e forcimin e kapaciteteve tona është pa dyshim, një ndër kushtet e patjetërsueshme të kësaj faze vendimtare për konsolidimin pa kthim të shtetit të së drejtës dhe për rifitimin e aq shumë kohe të humbur në të kaluarën e afërt, për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Por veç gjetjeve, Rama ka edhe një ftesë për Blinken për të dhënë një ndihmë në rritjen ekonomike të mëtejshme të Shqipërisë.

“Ai dhe pala amerikane në tërësi, t’i inkurajojnë kompanitë e vendit mik të investojnë në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare, e po ashtu t’i nxisin edhe bashkëqytetarët e tyre të vizitojnë Shqipërinë turistike, e cila tanimë është ngjitur me plot meritë në ligën kryesore të turizmit mesdhetar”.

Axhenda e takimeve të konfirmuara deri më tani, e zbuluar nga Top Channel, ka të paracaktuara dy takime. Me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e SPAK Altin Dumani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA