“Sugjerova të takohemi me Rusinë në SHBA, por Putin refuzoi”/ Zelensky: Nëse djegin dhe kjo mundësi, do nevojitet presioni
Marjana Koçeku ka njoftuar një ditë më parë largimin nga Partia Socialiste e Shqipërisë dhe vijimin e mandatit si deputete e pavarur.
Gjithsesi, në një postim të publikuar rreth pesë ditë më parë, Koçeku ka ndarë një reflektim personal mbi përvojën e saj në zhvillimin e një bujtine familjare në veri të vendit, duke treguar historinë e restaurimit të një kulle të vjetër dhe përdorimin e një ene tradicionale gatimi që, sipas saj, ka shërbyer për mijëra vizitorë ndër vite, duke i vlerësuar investimet në resorte.
Ajo përshkruan transformimin e objektit familjar nga përdorim tradicional në një hapësirë pritjeje për turistë të huaj, duke e lidhur këtë me idenë e turizmit autentik dhe sipërmarrjeve të vogla lokale që, sipas saj, mund të kenë ndikim të madh në zhvillimin ekonomik.
Postimi:
Kur pata vendosë me e hapë bujtinën para 5 vitesh m’u desh me marrë 2 mijë euro borxh te nji kushëri për restaurimin e kullës, ma saktë për izolimin e lagështinës që i kishte kaplue muret duke i ba harta-harta. Krejt si shpenzim më shkoi rreth 1 mijë euro. Pjesën tjetër e ktheva.
Nuk ndërrova kurrgja ma shumë, përfshi edhe ktë vegsh që shihni ma poshtë e që asht ma i vjetër se mosha jeme biologjike.
Qëllimi ishte me i dhanë kësaj ene-relike nji mision krejt të ri, jo ma me gatue për familjen e të afërmit, por për vizitorët e huej…
Në 5 vite, ky vegsh ka gatue për rreth 25 mijë vizitorë, pa marrë parasysh gatimet e maparshme familjare, për dasma, zi mortore, pajtime gjaqesh e lloj-lloj eventesh të tjera që i kanë zonat tona.
Na ka shoqërue në të mirë e në të keq, në dështime e suksese ekonomike.
Me i mbledh krejt njerëzit bashkë për të cilët ka gatue ky vegsh, e them me bindje se ia kalon çdo enë të secilit resort ma të mirë e ma të madh në Shqipni, për mos me thanë ma gjanë. Ndoshta nji ditë ka me gatue në përmasën e nji populli, por kushedi…
Ata që më njohin e dinë shumë mirë që unë s’kam shkue kurrë në nji resort dhe s’besoj se kam me shkue ndojherë. Në preferencën teme resorti asht nji botë e stisun dhe pa negativitet, nji hapësinë e kontrollueme dhe e tejsterilizueme, dekori i të cilës e përjashton ritmin e vërtetë të nji vendi.
Por e vërteta asht se nji kategori njerëzish (ndër të cilët jo pak shqiptarë) e preferojnë nji botë të tillë e që janë gati të paguejnë me çdo çmim për me marrë përjetime të nji lumtunie që për mue asht abstrakte, por që për ta me sa duket asht krejt reale.
Kur e kam marrë pozitën e përfaqësimit në parlament, nji nga synimet ka kenë me i dhanë shtysë sipërmarrjeve të vogla kreative në turizëm, pa shumë investim, që për nga volumi dhe suksesi ndojherë arrijnë edhe sipërmarrje masive. Nji kullë e vjetër, nji vegsh i nximë prej zjarrit, nji sofër e thjeshtë, mundet me ba ma shumë për shpirtin e turizmit sesa investime milionëshe që ndërtohen pa lidhje të drejtpërdrejta me vendin.

Top Channel