“Në kërkim” nga socialistët, reagon deputetja e Shkodrës pas njoftimit të largimit nga PS dhe fikjes së telefonit

15/06/2026 15:54

22 orë pas njoftimit se largohet nga Partia Socialiste dhe del si deputete e pavarur, ka reaguar sërish Marjana Koçeku.

Ajo ka postuar një foto të një flamingoje në Instagram dhe Facebook, duke lënë të kuptohet se arsyeja e largimit janë protestat dhe se këtyre të fundit u ‘bashkohet’.

Ndërkohë, deputetët socialistë u vunë “në kërkim” të koleges, e cila mbrëmjen e të dielës njoftoi largimin nga grupi parlamentar i PS për të vijuar rrugëtimin parlamentar si e pavarur.

Disa prej deputetëve të PS-së i thanë Top Channel se kanë tentuar të lidhen met kolegen e tyre, por telefoni i saj është i fikur.

Ndërsa disa të tjerë, me humor, thanë se Marjana Koçekut i është hakeruar llogaria në Facebook, nga ku ajo në gegënisht shkruante se: “Prej sot jam deputete e pamvarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojne kufijtë”.

Mësohet se këtë vendim Marjana Koçeku nuk ia ka komunikuar deri më tani zyrtarisht kryetarit të Grupit të PS-së, Taulant Balla, i cili në mbledhjen e grupit paraditen e kësaj të hëne citohet të ketë thënë se “për këtë çështje do të flasim në një moment të dytë”.

Ky vendim i befasishëm i deputetes së qarkut të Shkodrës ka prodhuar një valë reagimesh në rrjetet sociale, mes tyre edhe ato që i kërkojnë t’ia kthejë mandatin PS-së, forcës politike e cila e promovoi deri në fitimin e mandatit.

Marjana Koçeku, e njohur si Neomalësorja, ishte një prej prurjeve të reja në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Vetë Edi Rama, me bekimin e Benet Becit, drejtues i atëhershëm politik i qarkut Shkodër, e vendosën zonjën Koçeku në krye të listës të mbyllur të socialistëve në qarkun e Shkodrës.

Zonja Koçeku u bë e njohur për udhëheqjen e një biznesi familjar ku përfshihej një bujtinë dhe mbarështimi i dhive, i kthyer në një atraksion për qindra vizitorë të huaj.

Top Channel