Goditet me raketë balistike anija në Ngushticën e Hormuzit, nuk raportohet për të plagosur, nisin hetimet për origjinën e sulmit
Christa Pike, e dënuara me vdekje në shtetin e Tennessee-t në SHBA, ka folur për herë të parë pas tentativës së dështuar për ekzekutimin e saj më 30 shtator, kur mbijetoi pasi iu administruan dy doza të injeksionit vdekjeprurës.
Në një deklaratë të publikuar të premten nga ekipi i saj ligjor, Pike rrëfeu se nuk e kishte menduar se do të vazhdonte të jetonte pas asaj nate.
“Nuk e mora në konsideratë mundësinë e vazhdimit të jetës”, u shpreh ajo.
Gruaja tregoi se vazhdon të vuajë dhimbje të forta në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa ka edhe vështirësi në të folur. Ajo përmendi dhimbje në krahë, duar dhe fyt, duke theksuar se pasojat nuk janë vetëm fizike.
“Ka dhimbje në mendjen dhe shpirtin tim”, shkroi Pike, e cila shtoi se ndonëse ka vënë re përmirësime, procesi i rikuperimit është i ngadaltë.
“Po shërohem dhe e di që po bëhem më e fortë. Por shërimi nuk është i njëjtë me të qenit mirë”, deklaroi ajo.
Pike mori dy doza pentobarbital gjatë procedurës së ekzekutimit, por nuk vdiq dhe u transportua me urgjencë në spital në gjendje kritike. Ajo qëndroi e shtruar për disa ditë dhe u lirua më 10 tetor, kur u rikthye në burg.
Sipas avokatëve të saj, pas incidentit ajo vuante nga pneumonia, ënjtje të konsiderueshme në krahë dhe vështirësi në gëlltitje. Aktualisht, ajo vijon të marrë kujdes mjekësor dhe mbahet e izoluar nga të burgosurit e tjerë.
Christa Pike ishte 18 vjeçe kur mori pjesë në vrasjen e 19-vjeçares Colleen Slemmer, në janar të vitit 1995. Viktimën e kishte njohur në një qendër rinore në Knoxville.
Sipas dosjes së çështjes, Pike, së bashku me të dashurin e saj të atëhershëm, Tadaryl Shipp, dhe një vajzë tjetër, e joshën Slemmer në një zonë të izoluar, ku e rrahën dhe e torturuan deri në vdekje.
Pike u shpall fajtore për vrasje të shkallës së parë dhe u dënua me vdekje. Shipp, i cili ishte 17 vjeç në kohën e krimit, u dënua me burgim të përjetshëm.
Ekzekutimi ishte planifikuar të zhvillohej më 30 shtator në Qendrën Korrektuese Riverbend, në Nashville. Nëse do të realizohej, Pike do të ishte gruaja e parë e ekzekutuar në Tennessee pas më shumë se dy shekujsh.
Megjithatë, procedura u ndërpre pasi injektimi i dy dozave të pentobarbitalit nuk solli vdekjen e saj. Avokatët pretendojnë se ekipi i ekzekutimit hasi vështirësi në gjetjen e një vene dhe përdori rreth dhjetë gjilpëra gjatë përpjekjes.
Pas incidentit, guvernatori i Tennessee-t, Bill Lee, pezulloi ekzekutimet e tjera të planifikuara deri në vitin 2026 dhe urdhëroi një hetim të pavarur për atë që ndodhi.
Ndërkohë, dënimi me vdekje ndaj Pike mbetet në fuqi. Dy ditë para ekzekutimit të planifikuar, guvernatori Lee kishte refuzuar kërkesën për falje dhe zëvendësimin e dënimit me burgim të përjetshëm.
Top Channel