1500 forca policie për protestën e sotme/ Situatë e qetë para Ministrisë së Arsimit, masa edhe te Kryeministria

31/10/2026 12:15

Rreth 1500 forca policie janë angazhuar për protestën e sotme të studentëve dhe atë kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike, ndërsa kjo është dita e 19-të e protestës studentore.

Para nisjes së tubimit, situata para Ministrisë së Arsimit paraqitet e qetë. Protestuesit janë grumbulluar në qendër të Rrugës së Durrësit, ndërsa qarkullimi në këtë zonë është devijuar.

Në hyrje të Ministrisë së Arsimit ndodhen vetëm tre efektivë policie, ndërsa forca të tjera janë pozicionuar në pjesën e pasme të godinës.

Numri i protestuesve në nisje të tubimit është i ulët. Mes tyre janë parë edhe persona të maskuar. Në zonë ndodhen gjithashtu vullnetarë të gatshëm për të ofruar ndihmën e parë në rast nevoje.

Masa janë marrë edhe pranë Kryeministrisë. Në bulevardin përballë godinës qeveritare nuk ka një prani të shtuar të efektivëve, pasi pjesa më e madhe e forcave të policisë është grumbulluar në pjesën e pasme të Kryeministrisë.

Një numër i vogël efektivësh qëndrojnë pranë autobotëve të stacionuar pas godinës.

Në planin e masave të Policisë së Shtetit janë përfshirë edhe institucionet e tjera dhe ministritë që ndodhen në zonën mes Rrugës së Durrësit dhe Ministrisë së Brendshme.

Aktualisht në bulevard qarkullimi i automjeteve vijon normalisht.

Top Channel