“Protesta s’matet nga fakti nëse i pëlqen qeverisë”, Rama i përgjigjet komentuesit: Transparenca është rreshtimi i fakteve, bllokimi i rrugës është mbytje e debatit

15/06/2026 13:24

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur mesazheve të qytetarëve në rrjetet sociale në lidhje me protestat.

Kreu i qeverisë ka ndarë mesazhin  një prej protestuesve, i cili shkruan “Protesta në një demokraci nuk matet nga fakti nëse i pëlqen apo jo qeverisë. Ajo matet nga e drejta e qytetarëve për të kundërshtuar vendime që ata i konsiderojnë të padrejta ose të dëmshme për interesin publik.

Të thuash se protesta “nuk ka më lidhje me Sazanin dhe Zvërnecin” vetëm sepse qeveria pretendon se ka ndjekur procedurat, është të harrosh se pikërisht transparenca, mosbesimi ndaj institucioneve dhe kërkesa për llogaridhënie janë arsyet pse qytetarët dalin në protestë. Nëse çdo dokument zyrtar do të mjaftonte për të mbyllur debatin publik, atëherë protestat nuk do të ekzistonin në asnjë demokraci funksionale.

Në përgjigjen e tij, Rama ka theksuar se askush nuk e vë në diskutim të drejtën për të protestuar, por sipas tij, protesta nuk mund të shoqërohet me shpifje, gënjeshtra apo bllokime që cenojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe dëmtojnë interesin publik. “Transparenca nuk është rreshtim i fakteve, bllokimi i rrugës është mbytje e debatit”, thekson Rama.

Asnjëherë nuk e kam menduar se protestat duhet t’i pëlqejnë qeverisë. Qeveria nuk pretendon se ka ndjekur procedurat, qeveria i ka të gjitha faktet për këtë dhe transparenca është pikërisht rreshtimi i fakteve. Askush nuk kërkon po ashtu mbyllje të debatit publik, po dhuna online, bullizimi i njerëzve në rrugë, bllokimi i rrugës së aeroportit nuk janë debat publik, po mbytje e debatit publik, helmim i hapësirës publike dhe dhunim i lirisë së lëvizjes së publikut.

Të protestosh është legjitime dhe askush s’e ve në diskutim këtë. Por t’u bësh jehonë shpifjeve, gënjeshtrave, fabrikimeve si ato që tërhoqën vëmendjen e tërë botës që gjeti në Shqipëri shesh për përsheshet e veta politike, ideologjike apo deri edhe fetare, është goditje ndaj vendit padyshim! Dhe të bllokosh deri edhe rrugën e aeroportit është cënim i sezonit turistik dhe ekonomisë. Askush nuk i ka futur të gjithë protestuesit në një thes, po kjo protestë ka brenda mozaikut të saj nga të gjitha dhe “turmën e manipuluar” e thanë vetë protestuesit e zhgënjyer nga ikja pas berihait mbrëmë natën

Më vjen keq për shqetësimin por kjo është e vërteta, në fund dy përfitues realë do të ketë dhe e di pse? Pikërisht sepse kjo qeveri di të dëgjojë e të nxjerrë mësime, ndërsa Partia Socialiste ka me vete të vërteta të atilla, që njerëzit e zakonshëm të këtij vendi i dinë shumë mirë. Në mbyllje, problemi nuk jane shpjegimet, problemi mbetet kur disa nuk duan t’i degjojnë shpjegimet dhe as duan të komunikojnë qetësisht (rasti yt është shumë i rrallë në lumin e harbimit digjital)”, shkruan Rama.

Top Channel