Skandal në transmetim të drejtpërdrejtë, Romário ia përplas në fytyrë gazetares braziliane për “turpin” kundër Marokut!

16/06/2026 09:30

Sulmuesi legjendar i Brazilit, Romário, i cili tashmë ka marrë rolin e komentatorit për Kampionatin Botëror në një rrjet televiziv në vendlindjen e tij, u shfaq tepër i pakënaqur dhe i irrituar me pyetjen e gazetares Fernanda Gentil.

Brazili dhe Maroku u ndanë në një barazim 1-1 në debutimin e tyre në Grupin C të Kampionatit Botëror 2026, në një ndeshje ku afrikanët treguan një pamje shumë më të mirë në pjesën e parë, derisa Vinícius Júnior mori situatën në dorë për të shpëtuar ekipin e tij. Pas këtij rezultati, “Seleção” mori vetëm një pikë dhe pa Skocinë të ngjitej e vetme në krye të renditjes së grupit, pasi britanikët mundën Haitin 1-0 me një gol nga John McGinn.

Gjatë analizës pas ndeshjes, gazetarja Fernanda Gentil e pyeti ish-sulmuesin e Barcelonës nëse ky rezultat përballë Marokut mund të konsiderohej si një “humbje”, duke qenë se Brazili u shfaq shumë nën nivelin e pritshmërive. 60-vjeçari humbi durimin, duke theksuar se vetëm njerëzit që nuk ia kanë idenë nga futbolli mund të ndajnë këtë lloj mendimi.

Deklarata e plotë e Romários: “Fernanda, po të them këtë gjë: një barazim në ndeshjen e parë të një Kampionati Botëror, përballë një kombëtareje si Maroku, nuk është si një humbje. Vetëm ata që nuk dinë shumë nga futbolli do të mendonin njësoj si ti. Ne jemi brazilianë, por ekipi kombëtar i Marokut, për mendimin tim, luajti një futboll më të mirë, më teknik, me një rreshtim më të saktë në fushë, pavarësisht se natyrisht ne kemi lojtarë më të mirë në aspektin individual.”

Nga ana tjetër, trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, pranoi se skuadra ka nevojë për përmirësim urgjent për vazhdimësinë e turneut: “Ishte një ndeshje e vështirë dhe e luftuar ashpër kundër një skuadre të mirë. Në pjesën e parë nuk luajtëm aspak mirë. Në të dytën ishim disi më mirë, por padyshim që duhet të përmirësohemi. Në ndonjë aspekt specifik? Jo, në çdo drejtim.”

Top Channel