Emergjencë në mesfushën e Juventusit. Max Allegri po përballet me mungesa të shumta në këtë repart, teksa së fundmi ka humbur edhe shërbimet e Fabio Mirettit.
20-vjeçari, i cili në “Artemio Franchi” realizoi golin e parë në Serie A dhe i dhuroi bardhezinjve fitoren ndaj Fiorentinës, ka braktisur grumbullimin me Italinë U21.
Miretti ka ndjerë dhimbje mesi dhe rrezikon derbin e Italisë kundër Interit. Juventusi pret zikaltrit e Simone Inzaghit në “Allianz Stadium” në datën 26 nëntor. Dueli i zjarrtë mes skuadrave që mbajnë dy vendet e para në Serie A, do të transmetohet live në SuperSport/DigitAlb.
Problemet fizike të lojtarit të talentuar italian shqetësojnë jo pak teknikun Allegri përpara një prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit. Gjithsesi, Miretti do i nënshtrohet kontrolleve mjekësore për të mësuar më shumë rreth kohës së rikuperimit. Me tifozët e “Zonjës” që shpresojnë që të mos jetë diçka serioze dhe futbollisti të jetë i gatshëm kundër Interit. /Supersport
Top Channel