Masat ekstreme të sigurisë, tifozët vështirësi për të hyrë në “Fadil Vokrri”, ndalohen dy persona

12/11/2023 20:44

Masa të forta sigurie për ndeshjen Kosovë – Izrael që nis në orën 20:45 në “Fadil Vokrri”.

Rreth gjysmë orë pata se të nisë ndeshje, impianti i Prishtinës dukej i boshatisur, pasi tifozët e kishin të vështirë aksesin në stadium si në ndeshjet e tjera. Për shkak të frikës së ndonjë sulmi terrorist, janë shtuar masat në formën më ekstreme, çka ka bërë që tifozët të mbeten jashtë në pritje të kalimit të kordonit të policisë.

Mësohet se një orë para ndeshjes, forcat e policisë kanë arrestuar dy persona pas kontrollove që janë ushtruar gjatë tentativës së tyre për t’u futur në stadium. Policia e Kosovës, përmes një njoftimi paraprak, bën me dije se ndalimi erdhi pasi nuk respektuan rregullat për të hyrë në stadium.

“Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante, po vazhdon angazhimet sipas planit operacional për mbarëvajtje dhe ofrim të sigurisë lidhur me ndeshjen sportive në mes të Kosovës dhe Izraelit. Gjatë realizimit të detyrave policore mund të konfirmojmë se dy persona meshkuj kosovarë, të cilët kanë rënë në kundërshtim me rregullat e parapara për hyrje në stadium, të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor, për të vazhduar me procedurat e mëtejme në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunim të vazhdueshëm me policin dhe njëherit vazhdon të kërkoj që të respektojnë rregullat e parapara, me qëllim të menaxhimit dhe mbarëvajtjes sa më të mirë të kësaj ndeshje sportive”– thuhet në njoftim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA