Kategoria e Parë zhvilloi këtë të mërkurë ndeshjet e javës së tretë të saj. Bie në sy në këtë raund të kampionatit, frenimi i Korabit nga Iliria.

Skuadra dibrane që vinte pas dy fitoreve në dy javët e para nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në këtë përballje dhe tani është në kuotën e 7 pikëve po aq sa edhe Besa e Kavajës që ka marrë edhe kreun e klasifikimit.

Skuadra verdhezi nuk pati mëshirë përballë Orikut të cilin e mundi me rezultatin e thellë 5-0 dhe tani ka një bilanc me 12 gola të shënuar dhe vetëm 3 të pësuar. Për Orikun kjo ndaj Besës është e treta në po kaq ndeshje dhe e sheh veten në vendin e fundit të klasifikimit.

Fitore të rëndësishme dhe të pastër regjistroi edhe Pogradeci që mundi në transfertë Kukësin me rezultatin 3-0 me skuadrën liqenore që  ngjitet në kuotën e 7 pikëve duke iu bashkuar Besës dhe Korabit për të formuar një treshe që mund të luftojë deri në fund për titullin.

Besëlidhja pas 2 humbjeve të para që sollën edhe largimin e trajnerit Plori, mori pikën e parë në këtë sezon teksa në Ballsh arriti të barazojë me Bylisin me rezultatin 0-0. Kastrioti shënoi suksesin e parë në këtë sezon teksa mundi 1-0 Flamurtarin që e çon atë në kuotën e 4 pikëve në vendin e 6. Fitore shënoi edhe Sopoti që mundi Burrelin në fushën e këtij të fundit me rezultatin 3-1

REZULTATET KATEGORIA E PARË

Besa-Oriku                  5-0

Burreli-Sopoti             1-3

Bylis-Besëlidhja          0-0

Kastrioti-Flamurtari    1-0

Korabi-Iliria                 1-1

Kukësi-Pogradeci        0-3

 

Top Channel