‘Torino është shtëpia ime, në zemrën time. Jam shumë i kënaqur që jam këtu dhe jam gati për derbin. Kam komunikuar me Koopmeiner dhe shumë ish shokë skuadre që janë ende këtu në Itali’-kështu u shpreh Peer Schuurs, ish mbrojtësi i Torinos që sheh më në fund dritë në fund të tunelit pas 3 vitesh makthi, në prag të ndeshjes së Europa League të skuadrës së tij Nec Nijmengen ndaj Juventusit.

Qendërmbrojtësi holandez në periudhën 2022-2023 po afirmohej te Torino si një prej mbrojtësve më interesantë të kampionatit. Por më pas një dëmtim në ligamente i ndryshoi jetën. Për Peer Schuur në fakt pas operacionit, nisi një periudhë e errët që zgjati më shumë se 1000 ditë; ndërhyrja në gju nuk kishte shkuar siç shpresohej duke e detyruar futbollistin të operohej sërish. Në këtë rreth vicioz, një futbollist i lindur në 1999, rrezikoi të varte këpucët në gozhdë. Por më pas dëshira dhe vullneti për të tentuar sërish, për të mos hequr dorë, e çoi në Holandë te Nec Nijmengen, një zgjedhje që e bëri të rilindë dhe të kthehet në fushën e lojës.

Dhe pikërisht për këtë forcë të pafund vullneti, përralla e Schuurs nuk mund të kishte gjë tjetër, veçse fund të lumtur; në ndeshjen e parë të luajtur pas një mungese 3 vjeçare ai shënoi gol. ‘U ktheva me një gol, por isha i kënaqur edhe thjesht me faktin që luaja-tregon holandezi për Sky-mendova shumë herë të tërhiqesha por mjekët nuk më thanë kurrë që ta ndërmerrja këtë hap dhe kështu që nuk u dorëzova kurrë. Kalova 3 vite të vështirë sidomos në aspektin mental; është shumë e shëmtuar të mos mund të bësh futbollistin, kur je i tillë. Tani jam këtu dhe jam mirë’

Më pas Schuurs foli për ndeshjen kundër Juventusit duke përmendur vështirësitë që Nec mund të hasë.

Jemi një skuadër që dëshiron të sulmojë. E dimë që këtu është shumë e vështirë, por kemi besim se mund t’ia dalim mbanë, duam të fitojmë dhe të përmirësohemi në krahasim me vitin e kaluar, për ne është e rëndësishme ndeshja e ardhshme-tha Peer Schuur.

Top Channel