“Kam një problem”/ Publikohen pamjet e Sterling dhe historia bëhet më e rëndë se një dënim
Juventusi kërkon të reagojë menjëherë pas humbjes së rëndë ndaj Sassuolos, ndërsa në Torino presioni është shtuar ndjeshëm. Përveç kritikave për paraqitjen e skuadrës, në orët e fundit kanë qarkulluar edhe zëra për të ardhmen e trajnerit Luciano Spalletti, ndërsa në skenë është rikthyer edhe emri i Antonio Conte-s.
Spalletti, në konferencën për shtyp para sfidës së Europa League ndaj NEC në Allianz Stadium, foli hapur për presionin dhe situatën që po kalon klubi. “Nëse jam nën presion? Të pranosh presionin është ilaçi për të mësuar të jetosh. E ndjen presionin kur harron se kush je. Nëse dëgjon gjithçka që thuhet për ty, humbet identitetin”, deklaroi trajneri italian.
I pyetur për besimin e klubit dhe zërat për një rikthim të mundshëm të Antonio Conte-s, Spalletti nuk u shmang. “Duhet ta pranojmë. Nëse tifozët duan të fusin në mes emrin e Conte-s, duhet ta pranojmë. Disa nga këto zëra nuk më habisin, duke parë urgjencat që kemi, mbi të gjitha nevojën për të fituar ndeshjen e radhës dhe për të treguar se jemi Juventusi.”
Spalletti theksoi se nuk ka ndërmend të ndryshojë mënyrën e punës pavarësisht presionit. “Vazhdoj të stërvit me të njëjtat kritere me të cilat kam nisur. Nuk mund të pësojmë gola si ata që morëm ndaj Sassuolos. Edhe pse në Reggio Emilia krijuam më shumë raste sesa lejuam.”
Trajneri bardhezi u përgjigj edhe kritikave që vijnë nga jashtë klubit dhe veçanërisht nga rrjetet sociale. “Për sa kohë që do të na jepet kohë dhe hapësirë, energjitë duhet të shkojnë në atë drejtim, jo për t’u përpjekur të ndryshojmë idetë e të tjerëve. Nuk duhet të merremi me ata që thonë çfarë të duan në rrjetet sociale. Po flasim për një humbje, vetëm një.” Më herët, Spalletti kishte folur edhe për nevojën që Juventusi të korrigjojë gabimet e shfaqura ndaj Sassuolos.
“Jemi të vetëdijshëm se ka gjëra që duhen përmirësuar. E kemi analizuar situatën në thellësi dhe kemi evidentuar gjërat që duhet të korrigjojmë. Duhet të jemi më kompaktë për t’u hequr kundërshtarëve linjat e pasimit dhe të kuptojmë se kur duhet t’u hidhemi menjëherë.”
Sipas tij, diferencën nuk e bën vetëm taktika. “Diferencën e bën mënyra se si interpreton situatën. Ritmi mendor është vendimtar. Të ruash një ritëm të caktuar është thelbësore për të mbërritur i pari dhe për të paraprirë kundërshtarin.” Sa i përket formacionit, Spalletti fillimisht u tregua hermetik, por më pas zbuloi se Weston McKennie do ta nisë ndeshjen nga minuta e parë.
Trajneri foli gjithashtu për Teun Koopmeiners, nga i cili pret një reagim. “Koopmeiners është një lojtar i rëndësishëm për ne. Presim prej tij të tregojë nivelin që ka dhe që është i lartë. Gjatë ndeshjes ka vendime individuale që duhen marrë dhe ai duhet të na tregojë atë që di të bëjë, sepse është një futbollist i nivelit ndërkombëtar.” Në fund, Spalletti vlerësoi edhe kundërshtarin, NEC-in, duke paralajmëruar Juventusin për një sfidë aspak të lehtë.
“Trajneri i tyre është një profil i nivelit absolut. Ata propozojnë një futboll ofensiv dhe mesatarisht shënojnë dy gola për ndeshje. Janë shumë të zotë në presingun e vazhdueshëm. Duhet të jemi gati për çdo iniciativë të tyre, në mënyrë që të mos e bëjmë mbrëmjen të vështirë.” Në Torino, pra, nuk diskutohet vetëm ndeshja me NEC-in. Spalletti duhet të përgjigjet në fushë, ndërsa hija e Conte-s ka nisur të shfaqet në sfond.
Top Channel