Rikthim i hidhur për Milanin, kuqezinjte e nisin aventurën europiane me humbje ndaj Benficës
Një mbrëmje e mbushur me nostalgji dhe emocion ka paraprirë sfidën mes Milanit dhe Benficës, e vlefshme për javën hapëse të Europa League.
Para startit të ndeshjes, në tapetin e gjelbër të “San Siro-s” u zhvillua një ceremoni e veçantë ku u nderuan dy figura me peshë në historinë e klubit kuqezi: Manuel Rui Costa dhe José Altafini. Rui Costa, i cili sot mban detyrën e presidentit të klubit portugez, u mirëprit me ovacione nga publiku milanist dhe mori si dhuratë fanellën kuqezi me numrin 10. Ndërkohë, ish-sulmuesi italo-argjentinas José Altafini u vlerësua me fanellën ikonike me numrin 9.
I prekur nga atmosfera dhe mikpritja e San Siros, Rui Costa nuk i fshehu emocionet gjatë fjalës së tij: “Të pranohem kështu është një moment nderi i madh. Faleminderit të gjithëve për këto pesë vite të mrekullueshme që kalova këtu. Fituam gjithçka së bashku me ju. Të jem qoftë edhe një pjesë e vogël e kësaj historie më mbush me krenari.”
Ish-fantazisti portugez mbajti veshur fanellën e Milanit për pesë sezone, periudhë gjatë së cilës fituesi i Ligës së Kampionëve dhe titullit kampion në Serie A arriti të lërë një gjurmë të padiskutueshme në zemrat e tifozëve kuqezi.
Top Channel