Kristina Korbi në 3 vite gjimnaz ka shkëlqyer, rezultate të cilat i reflektoi edhe në provimet e maturës.

E dhënë pas lëndëve shkencore, surpriza për të ishte 10 absolute që mori në testin e gjuhës shqipe dhe letërsisë. Kristina është një nga 15 maturantët në të gjithë Shqipërinë që morën notën maksimale në këtë provim.

“Të them që nuk kisha emocione, do të gënjeja. Kisha emocione shumë, por kuptova që duhet të ruaja qetësinë. Nuk prisja rezultatet maksimale të them të drejtën, se mendova ndonjë gabim do e bëja por ia që ia dola”– tha Kristina Korbi- maturante

Maturantja e dhjetave në gjimnazin Qemal Stafa nuk ka përfunduar së testuari. Ajo po përgatitet për risinë e këtij viti për të konkurruar në universitetin e mjekësisë, nëpërmjet një provimi të automatizuar, që do të ketë 30% të peshës së përzgjedhjes.

“Në bazë të rezultateve synoj mjekësinë, po punoj për fondin e pyetjeve”- tha ajo.

Por 18-vjeçarja, nuk trembet nga sfidat. Kristina na zbulon çelësin e menaxhimit të emocioneve.

“Këmbëngulni për ëndrrat tuaja. Mos hiqni dorë dhe vetëm qeshni. Unë kështu jam gjithmonë i përçoj pozitivitet vetes”.

Mes Shqipërisë dhe Europës, ajo projekton punësimin në të ardhmen. Teksa është e vetëdijshme për vështirësitë që hasin të rinjtë në vendin tonë, 18-vjeçarja beson se ndryshimi nis nga vetja.

“Kush ankohet ka justifikime. Duhet të jemi më shumë kërkues ndaj vetes. Sidomos ne që jemi brezi i njohur si i teknologjisë, duhet të sjellim ndryshimin”- u shpreh maturantja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA