Parlamenti hungarez merr vendimin, asnjë kryeministër nuk do të qëndrojë në detyrë më shumë se 8 vjet Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka reaguar lidhur me debatet e fundit për projektin zhvillimor në zonën e Pishporo-Nartës dhe shqetësimet e ngritura nga organizatat mjedisore.
Në prononcimin e publikuar edhe nga vetë kryeministri Rama, Kos shprehet se është në kontakt të vazhdueshëm me Kryeministrin Rama dhe Qeverinë dhe ka marrë garanci se ky projekt do të zbatojë me rigorozitet kuadrin ligjor të Bashkimit Europian në lidhje me zonat e mbrojtura dhe kujdesin ndaj mjedisit.
“Komisioni Europian është njohur në detaje me procesin e dokumentuar administrativ lidhur me Sazanin e Zvërnecin dhe vetë Komisionerja Marta Kos ka folur qartë për të gjithë ata që duan t’i referohen fakteve”, shkruan Rama përbri videos së prononcimit të Marta Kos.
Prononcimi i Kos: “Shqipëria është një nga vendet pararojë në procesin e zgjerimit dhe ka bërë përparim të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit. Ky përparim është i vlefshëm, i njohur dhe duhet të mbrohet. Në situata të tilla është e rëndësishme që të gjithë të punojmë mbi bazën e fakteve. KE është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare, jo vetëm me Kryeministrin Edi Rama.
Sapo patëm vizitën e Drejtoreshës sonë për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti, e cila u takua javën e kaluar në Tiranë me Ministrin e Mjedisit. Sa i përket projektit në zonën e Pishporo-Nartë, ashtu si për të gjitha projektet e tjera të zhvillimit në Shqipëri, duhet të jetë në përputhje me kuadrin ligjor dhe me standardet e përcaktuara në kapitullin e mjedisit, siç e përmendët edhe ju, kapitulli 27 i procesit. Ky kapitull aktualisht është i hapur.
Përpara se të mund të mbyllet, situata do të duhet të sqarohet plotësisht, ndërsa mbyllja e tij aktualisht parashikohet deri në fund të vitit 2027. Roli ynë do të jetë të verifikojmë nëse standardet përkatëse janë përmbushur. Deri atëherë, ne i inkurajojmë autoritetet shqiptare të vazhdojnë të ndërmarrin hapat që mbështesin përmbushjen e standardeve të mbylljes së kapitullit dhe ndihmojmë Shqipërinë të ecë përpara në rrugën e saj europiane.
Ne kemi marrë garanci nga Qeveria e Shqipërisë se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se standardet europiane të mjedisit do të respektohen. Fakti që kjo po ndodh ndërkohë që Shqipëria po kalon procesin e anëtarësimit është i rëndësishëm. Ky proces është juridikisht dhe politikisht detyrues dhe i nënshtrohet një monitorimi dhe vlerësimi të vazhdueshëm.
Prandaj ai përbën garancinë më të fortë që natyra dhe mjedisi i Shqipërisë do të mbrohen në përputhje më standardet europiane. Lidhur me këtë, dëshiroj të shtoj se ju e dini sa i rëndësishëm është për ne e drejta për të protestuar. Ajo është një e drejtë themelore në Bashkimin tone dhe për të gjithë vendet që synojnë të bëhen pjesë e tij. Jam e lumtur të shoh se kjo e drejtë respektohet në Shqipëri”.
Top Channel