Sekuestrohen 209 llogari bankare, 121 pasuri të paluajtshme dhe dhjetëra automjete luksoze, SPAK godet grupin e trafikantëve, lëshohen 10 masa ‘arrest me burg’
U mbajt sot gjyqi për akuzat ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe 7 persona të tjerë të akuzuar në të njëjtën dosje.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton Veliaj nuk mori pjesë as në këtë seancë, por u përfaqësua nga avokati i tij, Plarent Ndreca.
Përmes një deklarate, Veliaj i bën me dije gjykatës se: “Kam dijeni për seancën. Nuk dëshiroj të marr pjesë, pasi nuk më janë vënë në dispozicion 24 fashikujt dhe provat digjitale”. Po sipas Veliajt, gjykata nuk ka zbatuar dispozitën ligjore, që i jep të drejtë të marrë pjesë si njeri i lirë në sallën e gjyqit.
Pas shqyrtimit të 5 kërkesave të Veliajt, GJKKO i ka rrëzuar ato.
I pranishëm në seancë është edhe avkoati i Ajola Xoxës, i cili ka kërkuar shtyrjen e seancës pasi kërkon të njihet me aktet.
Ndërkohë në këtë gjyq janë nën akuzë 19 persona, ku 11 të tjerëve u është pranuar kërkesa e gjykimit të shkurtuar dhe janë veçuar.
Diskutime nga zhvillimet e seancës në GJKKO:
Avokati Ndreca: Veliaj thotë që nuk më janë vënë në dispozicion aktet. Duhet t’i garantohet njohja me aktet, pastaj të vijojë gjykimi.
Prokurori Ols Dado: Nuk shoh arsye pse mund të shtyhet gjykimi, gjykata i ka vënë në dispozicion aktet.
Avokati i Veliajt: Ashtu si relatuat, z. Veliaj ka pohuar se ende nuk i janë vënë në dispozicion të gjitha aktet, akte që ju morët vendim për t’ju vënë. Për të qenë të sinqertë, në orën 3 e gjysmë u njoftuam nga sekretaria gjyqësore që janë dorëzuar aktet. Veliajt duhet t’i lihet koha e nevojshme të njihet me to për të pasur mundësinë e një mbrojtjeje efektive.
Prokurori Ols Dado: Aktet procedurale, që vendosi gjykata, i përkasin të pandehurve të tjerë. Bëhet fjalë për episode të veçanta, që i përkasin personave të veçantë. Nuk shoh arsye për të shtyrë seancën.
Gjykata vendos të vijojë seancën. “Vënia në dispozicion e akteve të kërkuara, për nga natyra e tyre, nuk përbën shkak për ndërprerjen dhe shtyrjen e seancës”, u shpreh gjykata.
Gjykata: Me datë 3.6.26 është marrë vendim nga zv/kryetari i gjykatës për kërkesën për heqje dorë nga gjykimi të anëtarit Besmir Stroka nga trupa gjykuese. Zv/kryetari ka vendosur të mos e pranojë këtë kërkesë.
Avokati i Veliajt: Ne kemi kundërshtim për gjyqtaren Flora Hajredinaj. Do të paraqesim kërkesë, sipas ligjit, për këtë qëndrim.
Avokati Dritan Jahaj, për të pandehurit Mirton Lika dhe “Lani sh.p.k.”: Vlerësojmë se kjo gjykatë nuk është kompetente për shqyrtimin e të mbrojturve prej nesh. As Mirton Lika e as “Lani sh.p.k.” nuk janë funksionarë të lartë. Nuk ka as bashkëpunim. Veçimi ynë nuk e pengon procesin, madje ne do cenoheshim po të qëndronim në të njëjtën çështje me të pandehurit e tjerë.
Avokati Ndreca: Prezenca e medias është e drejtë kushtetuese. Është bërë si vendimmarrje institucionale. Fakti që vjen në sallë një punonjëse e gjykatës, dhe kush është dakord ose jo për kamerat, është ndërhyrje te gjykata. Është vendimmarrje që cenon procesin. Vendimmarrja për kamerat i përket vetëm trupës gjyqësore. Këmbëngul që moslejimi i kamerave është goditje e drejtpërdrejtë e të drejtës kushtetuese që kanë mediat për të transmetuar procesin live. Kërkoj lejimin e kamerave në këtë proces. Së dyti, duhet të garantohet prezenca e Veliajt i lirë jashtë kafazit të xhamit. Janë 9 faqe me shkrim që cenojnë prezumimin e pafajësisë, dinjitetin njerëzor, dhe dëmtojnë një mbrojtje efektive. Mosprezenca e tij në këtë nivel mbrojtjeje ndikon drejtpërdrejt në këtë proces, për sa kohë nuk i sigurohen kushtet kushtetuese Veliajt. Ka një komunikim mes Komitetit të Helsinkit dhe gjykatës së posaçme. Helsinki ka vlerësuar t’i drejtohet gjykatës se prezenca në kafazin e xhamit është cenim i dinjitetit njerëzor. Kafazi është kthyer në detyrim, duke mos vlerësuar rrezikshmërinë e zotit Veliaj, i cili nuk paraqet asnjë rrezik. Për rrjedhojë, kërkoj që të garantoni që Veliaj të jetë përkrah avokatit të tij.
Avokati Ndreca: Unë kërkoj lejimin e kamerave për të regjistruar live këtë proces. Fakti që vjen në sallë një punonjëse administrative dhe pyet kush është dakord e kush jo, kjo është ndërhyrje në punët e gjykatës. Vendimmarrjen e merr trupa gjyqësore. Moslejimi i kamerave në sallë është një goditje e të drejtës kushtetuese që kanë mediat për të transmetuar live.
Së dyti, kërkoj që t’i krijohen kushtet zotit Veliaj të marrë pjesë në gjyq jashtë kafazit, në krah të avokatit. Mosprezenca e tij ndikon drejtpërdrejt në proces.
Ka një korrespondencë mes Komitetit të Helsinkit dhe GJKKO-së, ku përmendet cenimi i dinjitetit me mbajtjen e të pandehurve në kafazin e xhamit. Veliaj nuk paraqet asnjë rrezikshmëri për mbarëvajtjen e procesit. Kërkoj që Veliaj të jetë i lirë, krah avokatit, që të realizojë mbrojtjen siç Kushtetuta e garanton.
Së treti, për sa kohë nuk jemi njohur me provat digjitale, na jepni mundësinë për të bërë kërkesa për pavlefshmëri aktesh, pasi të jemi njohur me provat digjitale.
Së katërti, kemi kërkuar nga SPAK që të na vendosë në dispozicion se si është administruar kallëzimi nga Nesti Angoni.
Së pesti, vlerësojmë se seanca një herë në javë nuk garanton mbrojtje efektive, është një afat shumë i ngushtë. Të paktën të jenë dy javë nga një seancë në tjetrën.
Prokuroria: Kërkesat duhet të rrëzohen. Gjykata e ka vendosur që seanca të jetë publike, por jo me transmetim live. Sot kemi prezentë gazetarë, ky është koncepti i seancës publike. Transmetimi live është i paaplikueshëm në çështjet penale edhe në vendet e tjera. Me të drejtë kjo gjykatë është shprehur që seanca të jetë me dyer të hapura, por jo transmetim live. Lidhur me kërkesën që seancat të bëhen një herë në dy javë, ne kemi kërkesë që gjykata ta bëjë çdo ditë seancë, por ne e dimë ngarkesën dhe jemi të vetëdijshëm për pamundësinë. Që seanca të bëhet çdo të martë është e pranueshme.
Gjykata:
Për kërkesën e Veliajt mbi transmetimin e seancës live, kërkesa është e përsëritur. Kërkesa refuzohet.
Për provat digjitale, gjykata është shprehur më herët.
Për nxjerrjen e Veliajt nga ndarja prej xhami, kërkesa nuk duhet të pranohet. Qëndrimi i të pandehurit në kafaz nuk i cenon atij asnjë të drejtë procedurale.
Për caktimin e seancave në distancë më të shkurtër se një javë, kërkesa është e pabazuar.
Për vijimin e gjykimit, referuar kërkesës së avokatit të Ajola Xoxës për më shumë kohë, gjykata shtyn seancën për më 23 qershor, ora 10:00.
Pezullohen afatet e paraburgimit për Veliajn.
Top Channel