Trump kritikon Netanyahun për Libanin: Sulmi në Bejrut ishte i tepërt Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka dhënë alarmin se mijëra palestinezë që besohet se ndodhen ende nën rrënojat e Gazës mund të mos identifikohen kurrë, ndërsa operacionet për gjetjen dhe nxjerrjen e tyre vazhdojnë të përballen me vështirësi të mëdha.
Sipas medias prestigjoze The Guardian, përpjekjet e kërkimit mbeten të ngadalta pavarësisht armëpushimit të brishtë të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, i cili hyri në fuqi në tetor. Ekspertët paralajmërojnë se kalimi i kohës po rrit rrezikun që mbetjet njerëzore të degradohen deri në atë pikë sa identifikimi i tyre të bëhet i pamundur.
“Nuk ka dyshim se këta trupa së shpejti mund të bëhen shumë të vështirë për t’u identifikuar”, ka deklaruar zëdhënësi i Kryqit të Kuq në Jerusalem, Pat Griffiths. Ai theksoi se sa më shumë të vonohet nxjerrja e trupave nga rrënojat, aq më i vështirë bëhet përcaktimi i identitetit të tyre. Sipas Griffiths, shumë prej viktimave mund të gjenden në faza të avancuara dekompozimi, apo edhe të reduktuara në mbetje skeletore, çka i kufizon ndjeshëm mundësitë e ekspertëve mjekoligjorë për identifikim. Me kalimin e kohës gjithashtu humbasin edhe prova të rëndësishme rrethanore që mund të ndihmojnë në konfirmimin e identitetit të viktimave.
Palestinezët po kërkojnë në rreth 61 milionë tonë rrënoja të grumbulluara gjatë luftës, të detyruar të mbështeten kryesisht në mjete të thjeshta si lopata, kazma e madje shpesh të gërmojnë edhe me duar. Autoritetet shëndetësore në Gaza vlerësojnë se nën gërmadha ndodhen të paktën 10 mijë persona, ndërsa disa ekspertë besojnë se numri real mund të arrijë deri në 14 mijë.
Kërkesat e vazhdueshme për lejimin e ekskavatorëve dhe makinerive të rënda, të domosdoshme për përshpejtimin e operacioneve, ende nuk kanë marrë miratim.
Top Channel