Akulloret “zbulojnë” migrenën, dhimbjet që shkaktojnë tek disa persona janë sinjal për ata që vuajnë nga dhimbjet e kokës

14/06/2026 15:08

Në ditët e nxehta të verës dhe jo vetëm, akullorja është mbretëresha e produkteve më të konsumuara.

Por dhimbja e mprehtë e kokës që shumë njerëz përjetojnë kur konsumojnë akullore apo pije shumë të ftohta njihet si “mpirja e trurit”. Edhe pse zakonisht është e padëmshme pasi zgjat vetëm disa sekonda, studiuesit thonë se ky fenomen jep informacione të rëndësishme për shëndetin neurologjik të një personi.

Sipas tyre, dhimbja e kokës shkaktohet kur pjesa e qiellzës apo fundi i fytit ftohet shumë shpejt. Kjo bën që enët e gjakut të ftohen shumë shpejt, të tkurren dhe të zgjerohen menjëherë për të rikthyer qarkullimin normal të gjakut. Ky proces aktivizon nervin trigeminal, i cili transmeton sinjalet e dhimbjes në ballë dhe në fytyrë, duke krijuar ndjesinë karakteristike të ngrirjes së trurit.

Studiuesit kanë zbuluar që kjo ndjesi mund të jetë e trashëguar nga familja. Por një zbulim tjetër i rëndësishëm është lidhja e fortë mes ngrirjes së trurit dhe migrenës. Personat që vuajnë nga migrena kanë më shumë gjasa të vuajnë nga dhimbja e kokës për shkak të akullores dhe i ndiejnë ato më intensivisht. Kjo ndodh sepse nervi trigeminal është më i ndjeshëm ndaj stimuluesve të ndryshëm, përfshirë edhe ftohtësinë e akullores.

Për të shmangur këtë ndjesi, specialistët nuk këshillojnë të hiqni dorë nga konsumi i akullores, por konsumimin e pijeve të ftohta dhe akulloreve më ngadalë, për t’i dhënë kohë qiellzës të stabilizojë temperaturën.

Top Channel