Një traditë e hershme që vazhdon prej dekadash.
Qindra besimtarë kalojnë natën mes 12 dhe 13 qershorit në Kishën e Shna Ndout në Laç, në një nga pelegrinazhet më të mëdha fetare në vend. Besimtarë të besimeve të ndryshme i drejtohen këtij vendi të shenjtë për 12 të marta radhazi, për ta kurorëzuar udhëtimin e tyre shpirtëror më 13 qershor, ditën kushtuar Shën Antonit të Padovës.
Besimtarët që kaluan natën në këtë vend të shenjtë ndajnë emocionet dhe përjetimet e tyre në një natë të veçantë, e cila bashkon njerëz nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga vende të tjera, pavarësisht përkatësisë fetare.
Mes dritës së qirinjve, tingujve të kambanave dhe lutjeve për shëndet, paqe e një të ardhme më të mirë, besimtarët përmbyllin udhëtimin e tyre 12-javor në Kishën e Laçit, duke ruajtur gjallë një traditë që vazhdon të mbledhë mijëra pelegrinë çdo vit.
Top Channel