Obama skeptik për marrëveshjen, ish-presidenti amerikan vë në dyshim efektivitetin e paktit të ri me Iranin: Asgjë ndryshe nga të tjerat

16/06/2026 12:23

Ish-presidenti i SHBA-së, Barack Obama, i sheh me skepticizëm përpjekjet e reja për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin.

Për ish shefin e Shtëpisë së Bardhë,  do të jetë e vështirë që një dokument i ri të ofrojë rezultate më të mira sesa marrëveshja bërthamore e vitit 2015 (JCPOA). Obama pohoi se marrëveshja e arritur gjatë administratës së tij kishte funksionuar për vite me radhë dhe kishte vendosur kufizime të qarta mbi programin bërthamor iranian, deri në momentin kur SHBA-ja u tërhoq nga ajo në vitet pasuese. Duke folur për ABC News, ai vuri në pikëpyetje nëse negociatat aktuale mund të prodhojnë një marrëveshje që të jetë dukshëm më efektive se ajo që ekzistonte më parë.

Kam dyshime se ndonjë marrëveshje e re do të jetë shumë më e mirë apo shumë më ndryshe nga ajo që kishim më parë, e cila funksionoi me sukses për shumë vite derisa Shtetet e Bashkuara vendosën të tërhiqeshin prej saj”, deklaroi Barack Obama.

Obama theksoi se çështjet e sigurisë ndërkombëtare janë tepër komplekse dhe nuk mund të zgjidhen me masa të shpejta. Sipas tij, zgjidhjet e qëndrueshme kërkojnë diplomaci, kompromis dhe negociata të gjata mes palëve. Ai shprehu gjithashtu shpresën që tensionet dhe bombardimet të marrin fund, duke nënvizuar se barrën më të rëndë të konflikteve e paguajnë zakonisht civilët, të cilët nuk kanë përgjegjësi për vendimet politike apo ushtarake. Në intervistën e tij, Obama kritikoi edhe idenë se përdorimi i forcës ushtarake mund të zgjidhë problemet ndërkombëtare.

Sipas tij, megjithëse bombardimet dhe presioni ushtarak mund të duken si zgjidhje të shpejta, ato rrallëherë prodhojnë rezultate afatgjata dhe të qëndrueshme, teksa argumentoi se diplomacia mbetet mjeti më i efektshëm për të arritur përparim real, edhe kur marrëveshjet nuk janë të përsosura.

Top Channel