“Kampioni i botës” me kuqezinjtë! Pablo Zabaleta, eksperienca e argjentinës dhe Man.City brenda kombëtares

06/06/2023 20:10

Bashkë me trajnerin Silvio Mendes Junior, apo shkurt SYlvinho në këtë aventurë të eliminatoreve Euro 2024 është edhe argjentinasi Pablo Zabaleta, ish-kapiten i përfaqësueses së tij dhe Manchester Cityt.

Në këtë prag të dy ndeshjeve të radhës me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, ai tregon për Top Channel këtë stad të ri të karrierës së tij me kuqezinjtë.

“Niveli i kampionatit në Shqipëri është i mirë, sigurisht mund të përmirësohet në vitet e ardhshëm, pasi kam lexuar që do të ketë edhe ndryshime në infrastrukturë, do të ndërtohen stadium të rinj dhe kjo do të sjell lojtarë të rinj. Sa I përket ekipit kombëtarë, ne kur erdhëm këtu kishim mësuar se ekipi kishte një brez të ri në ekipin përfaqësues që tani luajnë të gjithë për skuadra të mëdha si në Itali, Angli, Spanjë e kështu me radhë. Nisur nga kjo ne kuptuam që këta lojtarë të këtij niveli janë në gjendje dhe duhet të ëndërrojnë për diçka të madhe dhe kjo është një nga arsyet që ne erdhëm këtu”.

Ju si argjentinas ndiheni ndopak kampion bote pasi vendi juaj e ka këtë status tashmë?

“Kur vendi yt fiton Kupën e Botës është diçka e jashtëzakonshme. Unë isha në Katar përgjatë gjithë muajit dhe si argjentinas sigurisht që ndihem shumë krenar. Si lojtarë unë kam një eksperincë të hidhur në 2014-n ku humbëm finale me Gjermaninë. I them gjithmonë djemve, kur luani për klubet tuaja luani 38 apo 40 ndeshje në një sezon me ekipin kombëtar janë vetëm 8 ndeshje. Duhet të dini që kur luan me fanellën e kombëtares ai është futbolli i vërtetë, futbolli bio, sepse luan për njerëzit, luan për vendin tënd, vendin që të ka rritur. Nuk ka asgjë më të mirë se kjo. Për një futbollist kur vesh fanellën e përfaqësueses është diçka speciale, këtë gjë e kam parë tek futbollistët shqiptarë.”

Dy ndeshjet e radhës me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, na duhen me doemos pikët.

“Sigurisht që po dhe për këtë po punojmë. Përpara së gjithash na duhet të mendojmë si fillim për Moldavinë. Do të jetë ndeshja jonë e parë në stadiumin tonë dhe me tifozët tanë. Janë dy mesazhe të rëndësishme, e para nga ana jonë do të punojmë për 10 ditë për të shkuar në ndeshjen kundër Moldavisë në gjendjen më të mirë të mundshme për ta fituar ndeshjen. Së dyti na duhet të krijojmë një atmosferë shumë të mirë në stadium e di që do të ketë shumë tifoz në stadium. Ndeshjet në shtëpi na duhet të kenë një atmosferë si ajo në derbin Tirana-Partizani, ku tifozët kërcejnë, këndojnë dhe padyshim do të kërkojmë 3 pikë, ato na duhen. Më pas do të na duhet të mendojmë për Ishujt Faroe.”

Top Channel