Kërcënoi me armë Van Bommel, autori kërkonte kontratë me klubin belg

31/05/2023 17:25

Kanë përfunduar hetimet për kërcënimin me armë ndaj holandezit Marc van Bommel, aktualisht trajner i Royal Antwerp në kampionatin belg të futbollit.

Ngjarja është regjistruar tetorin e kaluar, teksa në përfundim të hetimeve, prokuroria belge ka dalë në konkluzionin se autori i sulmit nuk ishte i interesuar as për Porche Panamerën e Van Bommel dhe as për orën e tij të shtrenjtë, por një kontratë te Antwerp.

Personi që sulmoi holandezin është një 25-vjeçar, i cili pretendon se ka vetëm 17 vite mbi supe dhe i kishte vendosur holandezit një lokalizues në makinë, për të ditur vendndodhjen e tij të saktë.

Pasi arriti ta lokalizojë në parkimin jashtë bllokut të banimit të tij, autori verboi Van Bommel me një elektrik dore dhe më pas e kërcënoi me pistoletë, megjithatë holandezi ia doli të vrapojë dhe të largohet nga vendi i ngjarjes.

Policia identifikoi dhe arrestoi autorin, teksa në telefonin e tij gjeti edhe një mesazh audio, i cili ishte përgatitur për t’u dëgjuar nga Van Bommel në momentin e kërcënimit me armë.

“Dëgjo Mark, jeta e familjes tënde varet nga kjo, më lër të bëhem një lojtar profesionist. Mos shko në polici, ne do të vrasim ty dhe familjen tënde. Ne e dimë se ku jetoni”, thuhej në audio-mesazhin e përgatitur për Van Bommel.

Holandezi kërkoi 5000 euro dëmshpërblim për rastin, megjithatë gjykata belge vendosi të dënojë me burg dhe gjobë 1200 euro autorin e ngjarjes.

Top Channel