Pësoi arrest kardiak gjatë ndeshjes, lojtari i NFL Damar Hamlin në gjendje kritike

03/01/2023 16:48

Ylli i futbollit amerikan Damar Hamlin është në një gjendje kritike pasi pësoi një arrest kardiak gjatë një ndeshjeje të Ligës Kombëtare të Futbollit të SHBA-së.

Lojtari i Buffalo Bills, 24 vjeç, ra në tokë pasi u përplas me një kundërshtar gjatë çerekut të parë të një ndeshjeje kundër Cincinnati Bengals.

Ai mori kujdes mjekësor në terren për më shumë se 30 minuta përpara se të dërgohej në një spital lokal.

NFL e pezulloi lojën rreth një orë pas incidentit.

Në një postim në Twitter herët të martën, ekipi tha se Hamlin po i nënshtrohet testimeve dhe trajtimit të mëtejshëm dhe aktualisht është i qetësuar.

Urgjenca shkaktoi një vërshim të madh mbështetjeje për Hamlin dhe riktheu vëmendjen në natyrën e rrezikshme të sportit më të popullarizuar të Amerikës ndërsa sezoni i NFL i afrohet fazave të tij kulmore të play-off-it.

Hamlin po përballej me lojtarin e Bengals Tee Higgins, kur helmeta e Higgins goditi Hamlin në gjoks. Pasi u ngrit fillimisht në këmbë, ai ra me shpinë.

Të dy skuadrat janë ndër pretendentët kryesorë të Super Bowl këtë vit, me përballjen e tyre kokë më kokë në ndeshjen kryesore të së hënës në mbrëmje në javën e parafundit të sezonit të rregullt të NFL.

Top Channel