Krerët e Bordit Ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në përfundimin të konsultimeve të Nenit IV me Shqipërinë, kanë bërë thirrje për shtimin e përpjekjeve në raport me rritjen e transparencës dhe besueshmërisë fiskale.

Në deklaratën për shtyp, të publikuar në faqen online të organizmit të fuqishëm financiar, nënvizohet po kështu nevoja për të përmirësuar menaxhimin e financave publike e për të forcuar monitorimin dhe menaxhimin e rrezikut fiskal.

Bordi përsëriti kritikat ndaj amnistisë fiskale, duke nënvizuar rrezikun e pastrimit të parave.

Pas një hovi të fortë në 2021-shin, ekonomia shqiptare përgjithësisht e ka ruajtur vrullin pozitiv me gjithë tronditjen që pësoi ekonomia globale nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, thuhet ne tekst.

Rritja reale e PBB-së, pritet të mbërrijë në 3.7 për qind në vitin 2022, si pasojë e një aktiviteti të fuqishëm në turizëm, pasuri të paluajtshme dhe shërbime.

Por ajo llogaritet të ngadalësohet në rreth 2 për qind në vitin 2023, duke reflektuar ashpërsimin e kushteve financiare, ngadalësimin në Europë dhe tërheqjen e politikave mbështetëse.

I nxitur prej çmimit të ushqimeve dhe energjisë, inflacioni është rritur, dhe pritet të kulmojë gjatë muajve në vijim.  Bordi thekson se avancimi i reformave strukturore do të jetë kritik në zhbllokimin e potencialit të rritjes së Shqipërisë dhe përshëndeten çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE, të cilat duhet të kontribuojnë në progresin e reformave.

“Drejtorët bënë thirrje për progres të qëndrueshëm në reformat në drejtësi dhe antikorrupsion dhe theksuan rëndësinë e një daljeje të përshpejtuar të vendit nga lista gri e FATF, task forca ndërkombëtare kundër pastrimit të parave. Lufta kundër informalitetit do të ndihmonte në frenimin e trysnisë së emigracionit“, sipas FMN.

Drejtorët ranë dakord se kapaciteti i Shqipërisë për të shlyer fondin është i mjaftueshëm dhe nuk e pamë të arsyeshme një zgjatje  të Vlerësimit të Pas-Financimit përtej shkurtit 2023.

Top Channel