Pagat rriten, puna ngadalësohet/ Të ardhurat rriten, por të rinjtë hasin më shumë vështirësi për punësim, 16.9% të papunë

10/06/2026 16:02

Pagat po rriten por jo domosdoshmërish edhe mundësitë për punë. Kjo është pasqyra që na ofrojnë treguesit më të fundit të publikuar nga INSTAT, ku krahas rritjes së pagave vihet re se shqiptarët kryesisht të rinjtë vazhdojnë të përballen me vështirësi për t’u integruar në tregun e punës.

Paga mesatare mujore bruto në tremujorin e parë të vitit 2026 arriti në 90 mijë e 119 lekë duke shënuar një rritje prej 9.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në shtet ky tregues arrinte në 105 mijë e 390 ndërsa në privat 83 mijë e 912 lekë.

Megjithatë rritja e pagave nuk po shoqërohet me të njëjtin ritëm në treguesit e punësimit. Në tremujorin e parë të vitit, shkalla e punësimit zbriti në 58 për qind, me një rënie prej 0.3 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës u ul në 76.2 për qind në krahasim me një vit më parë.

Nga ana tjetër papunësia ra lehtë në 8.4 për qind krahasuar me një vit më parë, por u rrit lehtë me 0.1 pikë përqindje kundrejt tremujorit të fundit të vitit 2025. Papunësia vërehet më e theksuar tek të rintjë të cilët në këtë fillimvit rrritën normën duke arritur në 16.9%.

Ekspertët vlerësojnë se sfida mbetet krijimi i vendeve të reja të punës, veçanërisht për të rinjtë, në mënyrë që rritja e pagave të shoqërohet edhe me zgjerimin e mundësive për punësim. Në të kundërt, ekonomia mund të përballet me paradoksin e pagave më të larta, por me më pak njerëz aktivë në tregun e punës.

Top Channel