Jo vetëm në drejtim të turizmit dhe pasurive të paluajtshme, qeveria shqiptare do të orientojë investimet e huaja edhe te prodhimi.
Në Strategjinë Kombëtare të Industrisë për vitet 2026-2030 parashikohen rregulla të reja për investimet në Shqipëri, të cilat s’do të maten vetëm me vlerën financiare, por edhe me ndikimin që sjellin në ekonomi, eksporte dhe në krijimin e vendeve të punës.
“Qëllimi i saj është të mbështesë kalimin drejt një modeli zhvillimi të bazuar në produktivitet dhe vlerë të shtuar, duke rritur peshën e prodhimit në ekonomi, duke ngritur intensitetin teknologjik dhe duke zhvilluar zinxhirët e furnizimit”, tha Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Pavarësisht se ky sektor është në rënie të ndjeshme prej vitesh, dokumenti vlerëson se Shqipëria ka potencial të madh në industrinë përpunuese, teknologji dhe aktivitete eksportuese, ndërsa afërsia me tregun evropian krijon mundësi të reja për tërheqjen e investimeve në sektorë prodhues.
“Strategjia synon të forcojë integrimin e ekonomisë shqiptare në zinxhirët evropianë të vlerës dhe të orientojë investimet publike dhe private drejt aktiviteteve prodhuese dhe eksportuese me produktivitet të lartë”, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Ndërsa vendi përpiqet të tërheqë më shumë investime, po afrohet edhe afati i ligjit për Investimet Strategjike që përfundon në vitin 2027 dhe qeveria po përgatit një të ri, në të cilin do të përfshihen edhe investimet e huaja direkte. Ndalur te investimet e huaja në Shqipëri, ato arritën në 1.64 miliardë euro në vitin 2025, me një rritje prej 3.5% vjetore.
Top Channel