Pensionet mbeten në deficit, për 100 pensionistë kontribuojnë vetëm 118 të punësuar në skemë

09/06/2026 16:27

Për 100 qytetarë të vendit tonë të cilët marrin pensione kontribuojnë 118 individë. Ky raport në sigurimet shoqërore qëndroi pothuajse i njëjtë në 2025 me një vit më parë.

Të ndikuar nga emigrimi i fuqisë punëtore, numri i ulët i individëve që derdhin kontribute, punësimi në të zezë dhe nëndeklarimi i pagave, diferenca mes kontribuuesve dhe përfituesve vijon të jetë e ngushtë në skemën tonë të pensioneve.

Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2025, u regjistruan 754 mijë e 981 pensionistë përfitues dhe 870 mijë e 964 të punësuar që paguan sigurimet shoqërore. 16 mijë e 939 më shumë qytetarë kontribuan në 2024 në këtë skemë, ndërsa numri i pensionistëve u rrit me 33 mijë e 583.

Një raport i tillë vështirësoi skemën e sigurimeve shoqërore, teksa të ardhurat e mbledhura nga kontribuuesit arritën në 2 miliardë euro, ndërsa Instituti i Sigurimeve u detyrua të shpenzojë në total 2.14 miliardë euro. Diferenca ose deficiti i skemës i krijuar u mbulua nga buxheti i shtetit në vlerën e 106 milionë eurove.

Ndonëse ky raport në 2024 qëndronte edhe më i lartë, në vlerën e 135 mln eurove, duke bërë që shteti të japë 29 mln euro më pak për pensionet.

Pensioni mesatar urban vitin e kaluar u regjistrua në 212 euro, me rritje prej vetëm 16 euro nga 2024-shi, ndërsa pensioni rural ishte 125 euro ose 7 euro më i lartë se viti paraardhës.

Top Channel