Shtrenjtimin e kostove të jetesës në Shqipëri tashmë po e reflektojnë edhe statistikat e INSTAT. Pas disa muajsh me rritje graduale, inflacioni në muajin maj arriti në 3%, niveli më i lartë i regjistruar në 2 vitet e fundit.
Ky është edhe objektivi i synuar nga Banka e Shqipërisë, e cila prej vitesh e konsideron nivelin 3% si normën që garanton stabilitetin e çmimeve në ekonomi.
Inflacioni u rrit nga 2.7% në prill në 3% në maj, ndërsa një vit më parë ishte vetëm 2.2%. Nga tensionet gjeopolitike e deri te efekti i sezonit turistik që tashmë po hyn në kulmin e tij qëndrojnë si faktorët kryesorë në rritjen e çmimeve.
Goditjen më të fortë, sipas INSTAT, e kanë dhënë qiratë dhe kostot e strehimit, të cilat kontribuuan me 0.84% në inflacionin total. Rritja e kërkesës për apartamente me qira afatshkurtër nga turistët ka shtyrë çmimet lart edhe për familjet shqiptare që qëndrojnë me qira. Pas qirave, në vend të dytë renditen ushqimet me ndikim 0.76%, ndërsa transporti shtoi edhe 0.51%, kryesisht për shkak të shtrenjtimit të karburanteve si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Nëse ndalemi në harkun e një viti, shifrat tregojnë se grupi i transportit ka regjistruar rritjen më të lartë të çmimeve me 7.8%, i ndjekur nga sigurimet dhe shërbimet financiare me 4.9%, ndërsa qiratë, energjia dhe karburantet janë shtrenjtuar me 4.2%. Edhe restorantet dhe akomodimi kanë vijuar trendin rritës, duke reflektuar presionin që po sjell sezoni turistik.
Një rritje e inflacionit pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë ende nuk është një faktor për këtë institucion për të ndryshuar politikën monetare. Por rritja e mëtejshme e çmimeve mund të ndikojë në kalimin e objektivit dhe si pasojë edhe ndryshimin e normave të interesit.
Një rritje e inflacionit për qytetarët po përkthehet gjithnjë e më shumë në shpenzime për të njëjtat produkte dhe shërbime. Sfida tashmë mbetet nëse kjo rritje do të jetë e përkohshme apo do të vazhdojë edhe gjatë muajve të verës, kur fluksi i turistëve pritet të arrijë kulmin.
Top Channel