58 sportistë nga e gjithë bota po marrin pjesë në turneun ndërkombëtarë të tenisit që po zhvillohet për disa ditë me radhë në Shkodër.

Ky kampionat, i pari i këtij lloji në këto përmasa dhe nivele, për vendin tonë, ka vendosur përballë njëri-tjetrit, tenistët e rinj deri në 16 vjeç. Mes tyre janë edhe emra premtues për nivele botërore.

“Turneu nuk është aq i lehtë sepse ka konkurrencë të madhe. Këtu po luajnë lojtarë shumë të mire nga vende të ndryshme. Do të mundohem të tregoj maksimumin dhe ta fitoj këtë turne. Renditem i 12-ti në botë për moshën time dhe ëndrra ime është të fitoj Grand Slam ashtu si patrioti im Nikola Xhokoviç”, tha Nikola Joviç, tenist.

“Unë vij nga Ukraina dhe luaj tenis që në moshën 6-vjeçare. Zhvillova sot ndeshjen e dyte dhe e fitova, pastaj nesër kam çerekfinalen. Këtu në Shkodër po më pëlqen gjithçka dhe Shqipëria qenka vend i bukur. LAVDI Ukrainës“, tha Pavlo Bodnarchuk, tenist.

Çetin Kesici i deleguari i Federatës Europiane të Tenisit, thotë se tenisi në Shqipëri ka përparuar kaq shume në vetëm pak vite.

“Tenisi është zhvilluar shumë këtu. Kur erdha këtu në 2018-ën, tenistët shqiptarë konkurronin vetëm njeri-tjetrin ndërsa tani vetëm pas 4 vitesh, një pjesë e mirë synojnë çerekfinalet dhe gjysmëfinalet e turneve ndërsa Grejsi Bajri, është e një niveli tjetër ku ka fituar edhe medalje ndërkombëtare”, tha Çetin Kesici.

Përmes përballjes në fushë, drejtuesit tregojnë se turneu është konceptuar si turizëm sportiv për promovimin e Shkodrës dhe Shqipërisë.

Finalet e kompeticionit do të zhvillohen këtë fundjavë.

Top Channel