Polemika te Komisioni i Kulturës/ Nga buxheti te protesta, Zhupa dhe Gonxhe shkëmbejnë replika

05/11/2026 20:38

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Bendi Gonxhe, u paraqit në Komisionin e Kulturës së bashku me ekipin e tij për të prezantuar projektbuxhetin për vitin 2027, por mbledhja treorëshe u dominua nga debate të ashpra mes tij dhe kryetares së Komisionit, Ina Zhupa, që e nisi me një kritikë për dorëzimin me vonesë të draftit.

“Ju keni sjellë materialin që ne do diskutojmë sot në orën 19:14 të ditës së djeshme”, iu drejtua Zhupa.

“Unë jam njoftuar për ta përshpejtuar datën e ardhjes këtu te ju”, u përgjigj Gonxhe.

Më pas, Zhupa kritikoi qeverinë për dhunë ndaj protestuesve, ndërsa ministri fajësoi protestuesit për anulimin e disa eventeve në kryeqytet.

“Policia ka për detyrë të garantojë mbarëvajtjen e jetës së përditshme”, u shpreh Gonxhe.

“Unë shqetësohem kur dhunohen qytetarët e vendit tim”, tha Zhupa.

Mes toneve të larta, Zhupa sfidoi Gonxhen, duke i kërkuar t’i bashkohet kur të vizitojë në komisariate protestuesit e arrestuar.

Ministri propozoi vijimin e protestës në sheshin Skënderbej për të mos penguar aktivitetet e tjera në Tiranë, por kjo revoltoi opozitën.

Pas kësaj përplasjeje, Zhupa ia la karrigen nënkryetarit Erion Malaj për të vijuar me prezantimin e projektbuxhetit, që parashikohet të jetë në vlerën e 7.65 miliardë lekëve për Turizmin, Kulturën dhe Sportin gjatë vitit 2027.

2.74 miliardë lekë janë parashikuar për investime publike, ndërsa trashëgimia kulturore përfiton një fond rekord prej 2.08 miliardë lekësh.

Top Channel