Garat evropiane kanë rifilluar dhe bashkë me to është rikthyer edhe beteja për dy vendet shtesë në Ligën e Kampionëve.

Në fund të sezonit, dy kampionatet që do të grumbullojnë më shumë pikë në renditjen e koeficientëve të UEFA-s do të përfitojnë nga një biletë shtesë për edicionin e ardhshëm të kompeticionit më prestigjioz për klube. Në sezonin 2023/24, këtë privilegj e siguroi Italia, ndërsa sezonin e kaluar ishin Anglia dhe Spanja ato që triumfuan në këtë garë, falë rezultateve të shkëlqyera të klubeve të tyre në kompeticionet evropiane.

SI FUNKSIONON SISTEMI I PIKËZIMIT?

Renditja e UEFA-s bazohet në rezultatet e arritura nga klubet e secilit shtet në Champions League, Europa League dhe Conference League. Për çdo fitore jepen 2 pikë, ndërsa për barazimin 1 pikë. Në llogaritje përfshihen edhe pikët bonus që klubet marrin për ecurinë në fazat e ndryshme të kompeticioneve.

Totali i pikëve të grumbulluara nga klubet e një vendi pjesëtohet me numrin e skuadrave që e përfaqësojnë atë në garat evropiane. Në këtë mënyrë përcaktohet koeficienti mesatar i secilit kampionat. Në përfundim të sezonit, dy vendet e para në këtë renditje sigurojnë nga një përfaqësues shtesë në Champions League për sezonin pasardhës.

RENDITJA AKTUALE

Pas ndeshjeve të zhvilluara deri më tani, Anglia mban vendin e parë me 9.166 pikë, e ndjekur nga Portugalia dhe Belgjika, që përbëjnë dy surprizat e këtij fillimsezoni. Italia renditet vetëm në vendin e tetë me 7.500 pikë, ndërsa Spanja mban vendin e gjashtë. Megjithatë, diferencat janë të vogla dhe renditja pritet të ndryshojë ndjeshëm në vazhdim të sezonit.

Ja 10 kampionatet kryesuese:

Vendi Shteti Pikët Ekipe
1 Anglia 9.166 9/9
2 Portugalia 8.500 5/5
3 Belgjika 8.400 5/5
4 Gjermania 8.285 7/7
5 Turqia 7.900 4/5
6 Spanja 7.875 8/8
7 Holanda 7.666 6/6
8 Italia 7.500 7/7
9 Norvegjia 7.400 4/5
10 Franca 7.214 7/7

Top Channel