Qeveria miraton kompensimin për transportin publik/ Karburanti 50 lekë për litër, fondi 209 milionë lekë

05/11/2026 20:27

Qeveria ka miratuar kompensimin financiar për kompanitë e transportit publik, në masën 50 lekë për çdo litër karburanti të konsumuar, për të përballuar kostot e shkaktuara nga situata në tregun e hidrokarbureve.

Vendimi i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave më 5 nëntor parashikon një fond prej 209 milionë lekësh nga rezerva e buxhetit të shtetit për vitin 2026. Nga kjo mbështetje do të përfitojnë shoqëritë që ofrojnë shërbimin e transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës.

Kompensimi do të jepet për karburantin e konsumuar gjatë periudhës qershor–tetor 2026. Sipas vendimit, sasia e karburantit që do të kompensohet nuk mund të tejkalojë 110% të konsumit mesatar mujor të regjistruar gjatë periudhës mars–maj 2026 për secilën kompani.

Për të përfituar mbështetjen financiare, shoqëritë e transportit duhet të paraqesin kërkesë pranë administratës tatimore ku janë të regjistruara, të shoqëruar me licencën e vlefshme të transportit, të dhënat identifikuese, numrin e llogarisë bankare dhe faturat e furnizimit me karburant.

Kompanitë që ushtrojnë edhe veprimtari të tjera duhet të paraqesin dokumentacion shtesë për të vërtetuar sasinë e karburantit të përdorur për transportin e udhëtarëve.

Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është 16 nëntori 2026.

Pas marrjes së kërkesave, administrata tatimore do të verifikojë dokumentacionin dhe brenda 15 ditëve pune do t’i përcjellë thesarit listën e subjekteve përfituese dhe urdhërshpenzimet përkatëse. Pagesat do të kryhen brenda pesë ditëve pune nga marrja e dokumentacionit nga thesari.

Top Channel