Festa e finales së Conference League ka nisur një ditë para përballjes së Romës dhe Feyenoord në stadiumin “Air Albania”.

Tifozët e Romës dhe Feyenoord kanë filluar prej ditësh që të vijnë në në Tiranë, ndërsa presin finalen e parë të Conference League, që do të luhet nesër, 25 maj, në orën 21:00 në “Air Albania”.

Ata kanë pushtuar rrugët e kryeqytetit dhe mbushur baret, ndërsa këndojnë e festojnë së bashku.

Tifozët kanë zgjedhur ta kalojnë këtë pasdite në pedonalen e Tiranës, ku janë ulur në bar-kafe dhe po konsumojnë birra.

Disa prej tyre mbërritën sot në kryeqytet, e disa të tjerë erdhën pak ditë më parë, duke e shfrytëzuar vizitën e tyre edhe për të eksploruar vende si Kruja apo Durrësi.

 

Ndërsa holandezët janë grupuar tek zona e Pedonales së Tiranës, italianët kanë preferuar Liqenin Artificial dhe janë mbledhur tek Amfiteatri. Edhe pse tifozët kanë pushtuar vendin, pritet të mbërrijnë ende tifozë të tjerë të Romës.

Policia bashkiake ka nisur me vendosjen e shiritave në disa rrugë të caktuara të kryeqytetit, të cilat do të kthehen në parkingje të dedikuara për autobusët e tifozëve të Romës dhe Feynordit. Devijimi i përkohshëm do të zgjasë deri më 25 maj.

Makinat që janë zhvendosur nga policia bashkiake për të liruar hapsirat, qytetarët mund ti gjejnë pranë kompleksit të pishinave tek diga e liqenit.

Një hartë, që ndihmon qytetarët për të lëvizur në kryeqytet gjatë ditës së mërkurë është publikuar  nga policia.

Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes mes ekipeve të futbollit të Romës dhe Feyenoordit, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, më datë 25 maj.

Harta (në shqip e anglisht) tregon zonën pa trafik, të dedikuar për këmbësorët e tifozët, si dhe zonat ku mund të qarkullohet me mjete, në këtë datë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në zonën ngjyrë kafe në hartë është shënuar zona e dedikuar për këmbësorët. Në rrugët e vijëzuara me ngjyrë të kuqe nuk lejohet qarkullimi, përveç automjeteve të autorizuara dhe emergjencave, rrugët e vijëzuara me të verdhë janë të dedikuara për automjete që kanë bileta për të parë ndeshjen në stadium. Rrugët me portokalli janë të dedikuara për emergjencat, ndërsa rrugët e ngjyrosura me blu janë për ata që do të hyjnë në stadium.

Roma dhe Feyenoord do të përballen nesër në orën 21:00 në “Air Albania”, duke e kthyer këtë ndeshje në një moment historik për historinë e futbollit shqiptar, pasi për herë të parë në vendin tonë luhet një finale europiane.

 

FOTO GALERI
1/30

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA