‘Nuk i lutem çdo ditë që të qëndrojë’/ De Zerbi i ashpër me Richarlison që shfryn në rrjetet sociale: Përse?
Ish-ylli i Premier League dhe i kombëtares angleze, Raheem Sterling, ka pranuar fajësinë për drejtim të rrezikshëm të automjetit dhe posedim të oksidit të azotit, të njohur si “gazi i të qeshurit”.
Futbollisti 31-vjeçar u paraqit këtë të martë në Gjykatën e Magjistratëve në Basingstoke, pas një aksidenti me Lamborghini-n e tij me vlerë rreth 270 mijë paund.
Sterling përballet me akuzat për drejtim të rrezikshëm, posedim të oksidit të azotit për inhalim të paligjshëm, si dhe për mosdhënie të një kampioni pas arrestimit të tij në muajin maj.
Ngjarja ndodhi më 28 maj 2026, pak para orës 09:00, në autostradën M3 në Hampshire. Disa drejtues automjetesh telefonuan shërbimet e emergjencës pasi panë një makinë të zezë luksoze 4×4 që lëvizte në mënyrë të rrezikshme dhe zigzaguese në rrugë.
Sterling u arrestua pranë një kryqëzimi në zonën e Farnborough. Automjeti i tij, një Lamborghini, doli nga rruga pas incidentit.
Policia e Hampshire dhe Isle of Wight konfirmoi se në aksident nuk u përfshi asnjë automjet tjetër dhe se nuk pati persona të lënduar.
Oksidi i azotit, i njohur gjerësisht si “gazi i të qeshurit”, u riklasifikua si substancë e kontrolluar e klasës C në Britani në nëntor 2023. Përdorimi i tij mund të shkaktojë pasoja të rënda shëndetësore.
Sterling e nisi karrierën e tij te Liverpool, ku u afrua në moshën 15-vjeçare nga akademia e Queens Park Rangers. Në vitin 2015 ai u transferua te Manchester City, ku fitoi katër tituj të Premier League, pesë Kupa të Ligës dhe një FA Cup.
Në vitin 2022 kaloi te Chelsea për rreth 50 milionë paund, por periudha e tij në Londër nuk shkoi sipas pritshmërive. Më pas u huazua te Arsenal, ndërsa në shkurt iu bashkua klubit holandez Feyenoord.
Marrëveshja me Feyenoord përfundoi gjatë verës dhe aktualisht Sterling është pa klub.
Futbollisti ka zhvilluar gjithashtu 82 ndeshje me kombëtaren angleze. Sipas raportimeve, pas transferimit te Chelsea ai ka kaluar një periudhë të vështirë personale dhe profesionale, ndërsa kohët e fundit ka qëndruar larg vëmendjes publike.
Top Channel