Nëse formacioni do të jetë i drejtë apo i gabuar, këtë do ta zbulojmë në mbrëmjen e kësaj të mërkure kur Milani do të presë në San Siro Benfica. Por ajo që mësohet është se Ruben Amorim po mendon që në ndeshjen e parë të Europa League të hedhë në fushë një formacion superofensiv që të jetë gati të sulmojë skuadrën kundërshtare.

Por çfarë mund të pritet nga trajneri luzitan i kuqezinjve. Duke lënë mënjanë Matteo Gabbia që do të luajë në mbrojtje në vend të De Winter në mënyrë që ky i fundit të pushojë, Amorim po mendon të luajë me formacionin e pjesës së dytë të ndeshjes me Lazion. Pra me Musah në vend të Modric në mesin e fushës, me Rabiot që do të jetë krahu i djathtë i tij, Chukëueze dhe Moreira në krahë, Pulisic e Cisse (ose Saelemaekers) pas Gonçalo Ramos me këtë të fundit që do të kërkojë të zhbllokohet në zonën e golit dhe të ndihmojë Milanin të kalojë pengesën evropiane.

Një formacion i tillë është dukshëm i çbilancuar, por sigurisht pritet të jetë shumë i rrezikshëm në zonën kundërshtare dhe më pak i parashikueshëm në manovër. Pritet të jetë një Milan i shpejtë, me lojtarë që dinë të driblojnë, por do të duhet të jetë edhe një Milan që të jetë në gjendje që të vuajë sepse portugezët janë një skuadër që dinë të mbajnë topin dhe si pasojë në fazën e zotërimit të topit do të duhet të vrapohet shumë.

Por Benfica nuk është Lazio, pasi Amorim e njeh shumë mirë skuadrën luzitane dhe me të cilën është përballur 13 herë në karrierë me Bragën dhe Sportingun e Lisbonës. Dhe bilanci i Amorim me Benfica ështëi kënaqshëm; 6 fitore, 4 humbje dhe 3 barazime. Por këtë radhë steka është vendosur më lart. Sigurisht që Europa League është e gjatë dhe nuk është e nevojshme të fitosh të gjitha ndeshjet( me 16 pikë, 1/8 e finaleve janë të siguruara), por nuk mund të mohohet se më shumë se kurrë, në këtë moment, Milanit i duhet të bëjë një paraqitje në lartësinë e famës së tij. San Siro që do të ketë 65 mijë tifozë kuqezinj, pret një mbrëmje gala; mbrëmje ku do të jetë i pranishëm edhe Gerry Cardinale dhe nisja me këmbën e mbarë e kompeticionit është objektivi i vetëm.

Top Channel