Tifozët e Romës i kërkojnë ndihmë ambasadorit Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, për të gjetur bileta për finale e “Conference League”, që skuadra e Mourinhos do ta luajë përballë Feyenoordit në “Air Albania”. Në një komunikim me mediet italiane për atmosferën në Tiranë dhe përgatitjet që po bëhen për këtë event të rëndësishëm të futbollit europian, Bucci shprehet:
“Mendoj se është shumë e vështirë për të gjetur bileta. UEFA e ka dorëzuar një pjesë të biletave te Roma, një pjesë te Feyenoordi dhe pjesa tjetër është shitur online me një sistem shumë kompleks. Këtu nuk ka bileta, fatkeqësisht stadiumi është i vogël, mendoj se është pothuajse e pamundur të i gjeni këtu”.
Ambasadori italian informon verdhekuqtë se ku do të mund të mblidhen në kryeqytetin shqiptar për të ndjekur finale.
“Stadiumi dhe në fakt edhe qyteti janë ndarë në dy zona për të pritur tifozët e Romës në jug, ndërsa në veri tifozët e Feyenoordit. Në jug të stadiumit është një park i bukur publik dhe tifozët e Romës do të mblidhen atje, me një zonë tifozësh dhe ekrane gjigante për të ndjekur ndeshjen, veçanërisht për ata që do të vijnë këtu pa biletë. Tifozët holandezë do të vendosen pranë sheshit kryesor të Tiranës. Tifozët do të mbërrijnë në stadium nga dy anët e kundërta të qytetit, me korridore të organizuara dhe të shoqëruara nga policia, për të shmangur kontaktin mes dy tifozërive. Do të ketë një zonë të tretë në Sheshin Skënderbej, ku do të shfaqen ekranet e mëdha dhe do të jetë një zonë neutrale. Këshilla që mund t’u jap tifozëve të Romës është të shkojnë në zonën e dedikuar për ngjyrat verdhekuqe.”
Top Channel