24 ditë luftë! Përplasjet pengojnë shpëtimin e ukrainasve të ngecur në teatrin e bombarduar! Zelensky kërkon bisedime paqeje

19/03/2022 22:40

Prej 24 ditësh Ukraina nuk po gjen qetësi, që kur forcat ruse të urdhëruara nga Presidenti Vladimir Putin nisën agresionin. Presidenti ukrainas bëri thirrje për të vijuar bisedimet për paqe me Moskën, ndërkohë që këtë të shtunë kanë nisur evakuuimet e banorëve nga Luhansku.

22:40 Linjat hekurudhore Ukrainë-Bjellorusisë të pezulluara

Linjat hekurudhore mes Ukrainës dhe Bjellorusisë janë pezulluar, sipas Oleksandr Kamyshin, kryetarit të rrjetit hekurudhor të Ukrainës. Kamyshin e bëri njoftimin pasi, nuk kishte mundur të komunikonte me punonjësit e hekurudhave bjelloruse që të mos transportonin trenat ushtarakë rusë drejt Ukrainës.

22:25 Mbi 6600 ukrainas janë evakuuar përmes korridoreve humanitare sot

6,623 persona u evakuuan nga qytetet e Ukrainës përmes korridoreve humanitare sot, tha një zyrtar i lartë. Kjo është shumë më pak, krahasuar me një ditë më parë, ku arritën të largoheshin 9,000 ukrainas. Që prej ditës së parë të pushtimit, mijëra ukrainas janë larguar nga Ukraina, duke lënë pas çdo gjë.

22:00 “Biden, Macron na premtuat që do na ndihmonit! Fëmijët tanë po vdesin”, thirrja prekëse e oficerit

Oficeri i policisë në Mariupol, Michail Vershnin u është drejtuar presidentëve Joe Biden dhe Emmanuel Macron që të mbajnë premtimin për të ndihmuar ukrainasit.

21:25 OKB: Rreth 850 civilë janë vrarë në luftën e Ukrainës

Të paktën 847 civilë, përfshirë 64 fëmijë, janë vrarë në Ukrainë nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt dhe të premten më 18 mars, sipas zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut (OHCHR). Gjatë 24 orëve të fund numri i të vdekurve është rritur me 31 persona. 1,399 civilë të tjerë, përfshirë 78 fëmijë, janë plagosur, kryesisht nga bombardimet dhe sulmet ajrore, thotë OHCHR.

21:10 Vijojnë operacionet e shpëtimit në Mykolaiv pavarësisht frikës për sulme të tjera

Operacionet e shpëtimit në Mykolaiv vijojnë për të shpëtuar trupat e bllokuar në kazermën ushtarake ukrainase, e cila u sulmua nga raketa ruse. Rreth 200 ushtarë po flinin në kazermë kur tre raketa ruse goditën bazën në skajin verior të Mykolaiv, tha një burim për BBC. Rreth 57 persona të lënduar po trajtohen në spitale, tha një burim tjetër. Temperatura në Mykolaiv mbrëmë ishte minus 6 gradë Celsius. Ka pasur bombardime të rënda gjatë natës në jug të Mykolaiv, një qytet kyç që ka bllokuar avancimin e Rusisë në perëndim përgjatë bregut të Detit të Zi për javë të tëra.

20:45 Zëvendëskryeministrja e Ukrainës: Mbi 3.3 milionë refugjatë kanë ikur përmes perëndimit

Më shumë se 3.3 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina përmes kufirit të saj perëndimor, tha zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk. Rreth 2 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, tha ajo, sipas Reuters. Ukraina ka evakuuar 190,000 civilë nga zonat e vijës së frontit përmes korridoreve humanitare që nga fillimi i pushtimit rus, tha Vereshchuk.

20:28 Lufta në Ukrainë! Përplasje të ashpra dhe rritje të vdekjeve, çfarë ndodhi sot

 Ndërsa errësira pushton vendin në ditën e 24-të të konfliktit, më poshtë janë zhvillimet më të fundit:

Lufta e ashpër për Mariupolin: Kryetari i qytetit të rrethuar jugor thotë se ka beteja intensive në rrugët e qytetit, duke sjellë pengimin e përpjekjeve për të shpëtuar qindra njerëz të bllokuar ende në bodrumin e një teatrit të bombarduar. Forcat ruse kanë rrethuar portin jugor, i cili është përballur disa ditë me bombardime të rënda.

Civilë të vrarë: Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut thotë se të paktën 847 civilë, përfshirë 64 fëmijë, janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit, kryesisht nga bombardimet dhe sulmet ajrore, duke theksuar  se totali i vërtetë mund të  jetë shumë më i lartë.

Polonia bën thirrje për bllokadë tregtare: Kryeministri Mateusz Moraëiecki i ka kërkuar BE-së të vendosë një ndalim total tregtar ndaj Rusisë. Ai thotë se një bllokadë mbi anijet dhe mallrat ruse do ta detyronte Moskën të ndalonte këtë luftë mizore.

Armët hipersonike : Rusia thotë se ka përdorur raketa hipersonike për herë të parë në luftë, duke shkatërruar një vend ku ruheshin armët në Ukrainën perëndimore. Raketat hipersonike udhëtojnë shumë më shpejt se sa shpejtësia e zërit, duke i bërë ato të vështira për t’u gjurmuar.

Kostumet e stacionit hapësinor: Agjencia ruse hapësinore ka mohuar që tre nga kozmonautët e saj, të cilët hipën në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës të kenë veshur uniforma me ngjyrat e flamurit ukrainas.

20:00 Zelensky u drejtohet protestuesve në Zvicër: Bashkohuni me luftën kundër së keqes

Presidenti i Ukrainës Volodymyr  Zelensky i ka kërkuar Zvicrës që të godasë elitat ruse. Duke iu drejtuar një proteste kundër luftës jashtë parlamentit zviceran në Bernë, Zelensky u kërkoi kompanive, përfshirë gjigantit të ushqimit Nestle, të ndalojë bashkëpunimin me Rusinë. Pavarësisht se nuk është anëtare e BE-së, Zvicra ka miratuar plotësisht sanksionet e BE-së kundër individëve dhe bizneseve ruse.

18:15 20-vjeçarja ukrainase fiton medaljen e artë në kërcim për së larti

Ukrainsja Yaroslava Mahuchikh fitoi medaljen e artë emocionale  në kërxinm për së larti në Kampionatin Botëror të zhvilluar në Beograd të Serbisë. 20-vjeçares iu deshën tre ditë për të arritur nga Ukraina në kryeqytetin serb. Turma brohoriti teksa ajo mbante lart flamurin e vendit të saj.

18:00 Dhjetë civilë të vrarë në Kiev dhe Luhansk në dy ditët e fundit

Dhjetë civilë, duke përfshirë dy fëmijë, janë vrarë nga bombardimet ruse në rajonet e Kievit dhe Luhanskut gjatë dy ditëve të fundit. Shtatë civilë u vranë dhe pesë u plagosën si rezultat i një sulmi në qytetin Makariv të rajonit të Kievit më 18 mars. Një grua dhe dy fëmijë u gjetën të vdekur nën rrënojat e një shtëpie që u shemb si pasojë e bombardimeve në qytetin Rubizhne në rajonin e Luhansk më 19 mars. Ndërsa një fëmijë i tretë u nxjerr nga rrënojat dhe ishte në gjendje të qëndrueshme.

17: 50 Rrjedhje informacioni, Putin shkarkon gjeneralin e lartë, rusët ikin nga tubimi pro-luftës

Presidenti rus, Vladimir Putin ka shkarkuar njërin prej gjeneralëve të tij të lartë, Roman Gavrilov, i bindur se 45 vjeçari, zv/komandant i Gardës Kombëtar ka nxjerrë informacione sekrete e ka shpërdoruar karburantin e shumë nevojitur për forcat ruse. Gavrilov u ndalua nga Shërbimi Federal Rus i Sigurisë, e pohuar kjo nga tre burime të besuara sipas site-it investigative, Bellingcat.

17:27 Harta/ Sa kanë përparuar rusët në Ukrainë

Rusia vijon të përparojë në qytetin e Mariupolit, i cili është më i shkatërruari deri më tani që prej fillimit të sulmeve ruse në Ukrainë. Luftimet në rrugë po pengojnë shpëtimin e njerëzve të bllokuar nën teatrin e bombarduar, sipas kryebashkiakut të qytetit. Vadym Boichenko thotë se nuk ka asnjë pjesë  toke në qytet që nuk ka shenja lufte. Por, avancimi i trupave ruse është ndalur në shumë vende, ndërsa forcat ukrainase rezistojnë dhe nisin kundërsulme efektive.

17:00 Kozmonautët rusë mbërrijnë në ISS të veshur me ngjyrat e Ukrainës

Kozmonautët rusë kanë mbërritur në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) të veshur me ngjyrat e Ukrainës. Mbërritja e tyre në stacionin hapësinor me ngjyrat ukrainase duket se është një qëndrim kundër pushtimit. Tre kozmonautët janë të parët që mbërrijnë që prej kohës kur Rusia sulmoi fqinjin e saj në lindje muajin e kaluar.

16:26 Gjermania me “super-ushtri”: Do mbrojmë Europën, më shumë përgjegjësi në NATO!

Gjermania e ka nisur menjëherë modernizimin masiv ët forcave të saj të armatosura. Koncernet gjermane të armatimit po marrin porosi: deri tani, ajo ishte një nga vendet e mëdha eksportuese të armëve në botë, por në prodhimin e përgjithshëm vendas, industria e armatimit nuk kishte peshë jo të rëndësishme. Tani, megjithatë, situata është krejt ndryshe. Është llogaritur që vetëm këtë vit, Gjermania të shpenzojë 100 miliardë euro shtesë për mbrojtjen. Pas luftës në Ukrainë, ajo ka vendosur duket të kthehet në fuqinë e tretë në botë, pas SHBA dhe Kinës, për investimet për mbrojtjen.

16:23 Luftime të egra në rrugë, nuk nxirren dot njerëzit nga rrënojat e teatrit në Ukrainë!

Luftime të ashpra po zhvillohen në rrugët e qytetit të rrethuar port të Mariupolit në Ukrainë, por ato, ashtu si dhe raketat ruse që nuk reshtin, janë duke vështirësuar se tepërmi përpjekjet për shpëtimin e njerëzve të bllokuar nën rrënojat e teatrit të bombarduar të mërkurën. 130 civilë janë arritur të nxirren prej andej, dhe fatmirësisht, deri tani në godinën e shkatërruar nuk janë gjetur viktima. Por në anën tjetër, nuk ekipet e ndërhyrjes së shpejtë nuk po arrijnë të nxjerrin më shumë të mbijetuar, ndërkohë që mendohet se në momentin e sulmit, në teatër po strehoheshin mbi 1000 persona, shumica gra e fëmijë.

16:18 “Putini, gjyq si i Nurembergut”, Anglia e kërkon: “Vladi” prapa hekurave!

Ish kryeministri britanik, Gordon Brown kërkon ngritjen e një gjykate të re ndërkombëtare me një qëllim të vetëm: hetimin e Vladimir Putinit për veprimet e tij në Ukrainë. Kemi parë gjatë kësaj lufte sesi bombardohet pa dallim civilët, e kjo është kunder ligjit ndërkombëtar, tha ai, duke kujtuar edhe shkelet e vazhdueshme të armëpushimeve humanitare, ndërsa nuk harroi te përmendte gjithashtu “shantazhin bërthamor” të presidentit rus.

16:12 Mariupol, forcat speciale çeçene luftojnë shtëpi më shtëpi, gra e fëmijë mbeten në bodrumet e teatrit të shkatërruar

Forca speciale të ushtrisë çeçene shiheshin sot në një video ruse duke luftuar shtëpi më shtëpi në qytetin e rrethuar të Mariupol ku qindra gra e fëmijë mbeten të bllokuar në strehime apo rrënojat e ndërtesës së shkatërruar të teatrit. Pamjet e publikuara nga lideri çeçen pro-rus Ramzan Kadyrov tregonin luftëtarët e tij duke qëlluar ndaj zjarrit që vinte prej një ndërtese të lartë apartamentesh. Video e propagandës më pas tregonte ushtarë çeçenë që ndihmonin banorë të dilnin nga strehimet, një prej të cilëve mbante në krahë një fëmijë të vogël.

16:00 “Kemi ndenjur 10 ditë në bodrum”, të evakuuarit e Mariupolit

Të evakuuarit nga qyteti port i Mariupolit kanë folur për shkatërrimin e shkaktuar në qytetin e tyre të lindjes pas disa javësh të bombardimeve ruse. Një tjetër i evakuuar, Sergiy, 44 vjeç, thotë se ka udhëtuar nga Mariupol me familjen, qenin dhe papagallin e tij.

13:11 Rusia përdor raketat hipersonike në Ukrainë: Është tërbuar, plani s’po i ecën!

Rusia duket gjithmonë e më e egërsuat nga dështimet në terren, e duket kjo është arsyeja që shtyu Moskën të përdorë për herë të parë në Ukrainë raketat e reja hipersonike Kinzhal, duke shkatërruar një depo armësh perëndim të vendit.

13:19 “Po nisi një raketë, do i vijnë dy”/ Ish-ministri rus: Putini, kërcënime boshe, s’ka luftë bërthamore

Ish-ministri i Jashtëm i Rusisë i hedh poshtë gjasat për luftë bërthamore, duke e deklaruar perspektivën një “kërcënim bosh” nga Vladimir Putin. Andrei Kozyrev, i cili shërbeu si shefi diplomacisë ruse në kohën e paraardhësit të Putinit, Boris Yeltsin, tha se epoka e presidentit aktual rus do të përfundojë në “katastrofë” , e shkaku për këtë është pikërisht lufta e Ukrainës.

10:32 Ukraina shpreson për hapjen e dhjetë korridoreve humanitare

Ukraina shpreson të evakuojë civilët sot përmes dhjetë korridoreve humanitare në qytetet që gjenden në frontin e luftimeve me forcat ruse, tha zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk.

09:46 Mbërrijnë ndihmat e para për Ukrainën nga OKB-ja

Paketën e parë e furnizimeve humanitare për Ukrainën ka mbërritur në Sumy, sipas Kombeve të Bashkuara.

09:26 Greqia do të rindërtojë maternitetin e Mariupolit

Greqia do të rikonstruktojë maternitetin në Mariupol ka deklaruar kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në një takim të kryeministrave të Italisë, Spanjës dhe Portugalisë në Romë,në të cilin lideri grek për shkak të karantinës ka marrë pjesë virtualisht.

08:25 “Në fund të prillit mbaron lufta”! Këshilltari i Zelenskyt shpresë plot

Një nga këshilltarët e presidencës ukrainase, Oleksiy Arestovych thotë se disfata e Rusisë është shumë afër, duke shtuar se deri në fund të prillit lufta do të ketë mbaruar.

Karrocat bosh janë rreshtuar në një shesh qendror në Lviv jashtë këshillit të qytetit, në nderim të fëmijëve që kanë vdekur në luftë. Autoritetet ukrainase thonë se të paktën 109 fëmijë janë vrarë deri më tani.

FOTO GALERI
2/12

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA