Gjermania me “super-ushtri”: Do mbrojmë Europën, më shumë përgjegjësi në NATO!

19/03/2022 16:26

Gjermania e ka nisur menjëherë modernizimin masiv ët forcave të saj të armatosura. Koncernet gjermane të armatimit po marrin porosi: deri tani, ajo ishte një nga vendet e mëdha eksportuese të armëve në botë, por në prodhimin e përgjithshëm vendas, industria e armatimit nuk kishte peshë jo të rëndësishme.

Tani, megjithatë, situata është krejt ndryshe. Është llogaritur që vetëm këtë vit, Gjermania të shpenzojë 100 miliardë euro shtesë për mbrojtjen. Pas luftës në Ukrainë, ajo ka vendosur duket të kthehet në fuqinë e tretë në botë, pas SHBA dhe Kinës, për investimet për mbrojtjen.

Fondet shtesë këtë vit do të përdoren për pasardhësit e avionëve Tornado, për helikopterë transporti dhe për avionë shtesë, Eurofighter. 15 miliardë Euro janë parashikuar për avionët F-35 dhe avionë të tjerë, 5 miliardë Euro do të jepen për helikopterët e rinj të transportit të rëndë.

Do të blihen edhe dronë të armatosura, korveta dhe fregata për marinën. Dhe forcimi i mbrojtjes nuk synon mbulimin vetëm të territorit gjerman, por të të gjithë Europës.

Ministrja e Jashtme gjermane bëri të ditur se Gjermania do të shtojë angazhimin e saj ndërkombëtar për paqen. Annalena Baerbock paraqiti për këtë edhe plane konkrete.

 “Lufta ruse në Ukrainë është një pikë kthese gjeopolitike me efekte të gjera në sigurinë europiane. Për këtë arsye, gjatë zhvillimit të një strategjie të re të sigurisë kombëtare, Gjermania duhet të mos mendojë për sigurinë duke e hedhur vështrimin nga e kaluara, por nga e ardhmja”, tha Annalena Baerbock, ministrja e Jashtme gjermane.

Lufta e Ukrainës tregon edhe një herë se siguria varet nga aftësia e NATO-s për të krijuar aleanca, theksoi Baerbock, ndërsa bëri thirrje që Gjermania të marrë më shumë përgjegjësi brenda aleancës ushtarake. Pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE bashkëpunimi evropian në mbrojtje mori forma më konkrete. Më 2017 Gjermania dhe Franca vendosën ta mbështesin me një bashkëpunim ushtarak në disa fusha idenë e “sovranitetit evropian”.

Top Channel