Trump tha se Moska dhe Kievi kanë arritur marrëveshje armëpushimi, Zelensky reagon i habitur: Nuk dija asgjë, të paktën na thoni kur nis

11/10/2026 17:54

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka reaguar me habi ndaj njoftimit të Donald Trumpit për një armëpushim energjetik mes Rusisë dhe Ukrainës, duke deklaruar se nuk kishte marrë më parë informacion për një marrëveshje të tillë.

Në një bisedë telefonike me median amerikane Axios, Zelensky e cilësoi njoftimin e presidentit amerikan si një zhvillim të ri për të, por theksoi se Kievi është i gatshëm ta pranojë armëpushimin, nëse Moska angazhohet realisht për ndalimin e sulmeve.

“Për mua është një lajm i ri. Por, nëse rusët janë dakord për një armëpushim energjetik, edhe Ukraina do ta pranojë”, deklaroi Zelensky.

Reagimi i tij vjen pasi Trump njoftoi përmes platformës Truth Social se armëpushimi hyn në fuqi menjëherë dhe se të dyja palët kanë pranuar marrëveshjen. Megjithatë, presidenti amerikan nuk dha detaje mbi kohëzgjatjen e saj apo mënyrën se si do të monitorohet zbatimi.

Sipas raportimit të TGCOM24, në momentin e publikimit të lajmit, Kremlini nuk kishte bërë ende ndonjë deklaratë zyrtare për njoftimin e Trumpit.

Mbetet e paqartë se si është arritur marrëveshja e pretenduar dhe nëse Moska e Kievi kanë rënë dakord konkretisht për kushtet e saj.

Një armëpushim energjetik do të synonte ndalimin e goditjeve ndaj objekteve që prodhojnë dhe furnizojnë me energji, të cilat janë kthyer në objektiva të rëndësishëm të luftës.

Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas iu përgjigj edhe deklaratave të Trumpit se Ukraina duhet të organizojë zgjedhje të reja presidenciale.

Zelensky theksoi se vendimi për udhëheqjen e vendit i takon popullit ukrainas dhe kërkoi nga presidenti amerikan që t’i kërkojë Vladimir Putinit një armëpushim të plotë, i cili do të mundësonte zhvillimin e zgjedhjeve.

“Ju lutem, thuajini Putinit, na jepni dy muaj, 60 ditë armëpushim të plotë, dhe ne do të organizojmë zgjedhjet”, deklaroi Zelensky në një intervistë për programin This Week të televizionit ABC.

Deklaratat vijnë në një moment tensionesh mes Kievit dhe Uashingtonit, pas kritikave të Trumpit ndaj sulmeve ukrainase kundër rafinerive ruse të naftës dhe mosmarrëveshjeve lidhur me mënyrën se si duhet të përparojnë negociatat për përfundimin e luftës.

Top Channel