“10 vite vuajtje të tmerrshme”/ Gjyqtarët rekomandojnë rrëzimin e akuzave më të rënda ndaj kryeministrit izraelit, Netanyahu kërkon përfundimin e gjyqit

25/11/2026 22:45

Gjyqtarët në Izrael i kanë rekomanduar prokurorisë të shqyrtojë tërheqjen e akuzave për ryshfet ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu, në një zhvillim që mund t’i japë atij një avantazh të rëndësishëm në betejën për mbijetesën politike.

Gjatë një seance të mërkurën, trupi gjykues i Gjykatës së Qarkut në Jerusalem i shprehu shqetësimet Prokurores së Përgjithshme, Gali Baharav-Miara, duke vënë në dyshim mundësinë e shpalljes fajtor të Netanyahut në çështjen e parë dhe më të rëndë të korrupsionit, shkruan BBC. 

Gjyqtarët argumentuan se mundësitë për një dënim ishin të pakta dhe kërkuan që prokuroria të rishqyrtonte vijimin e kësaj çështjeje.

“Shanset për një dënim janë të ulëta, në një masë të tillë që justifikon rishqyrtimin e çështjes”, deklaroi gjyqtarja Rivka Friedman-Feldman, sipas raportimeve të mediave izraelite.

Gjithashtu, gjyqtarët vunë në pikëpyetje nëse veprimet e kryeministrit në një dosje të dytë përbënin vepër penale, ndërsa për çështjen e tretë sugjeruan që prokuroria të shqyrtonte mundësinë e një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë.

Kryeministri izraelit i ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat dhe të mërkurën kërkoi që procesi gjyqësor të përfundonte “menjëherë”.

“Dhjetë vite vuajtje të tmerrshme për mua, familjen time, djalin tim. Dhjetë vite nxitje të urrejtjes që plagos shpirtin”, u shpreh Netanyahu në një deklaratë televizive.

Netanyahu u akuzua për herë të parë në vitin 2019, duke u bërë kryeministri i parë në detyrë i Izraelit që përballet me një proces penal. Gjykimi është zgjatur edhe për shkak të luftës së fundit mes Izraelit dhe Gazës.

Kryeministri i ka cilësuar vazhdimisht çështjet ndaj tij si një gjueti politike dhe të mërkurën deklaroi se “çështjet e fabrikuara” kundër tij po shpërbëhen.

Çështja më e rëndë, e njohur si Dosja 4000, lidhet me dyshimet për një marrëveshje të ndërsjellë mes Netanyahut dhe aksionerit kontrollues të kompanisë më të madhe të telekomunikacionit në Izrael.

Sipas akuzës, kryeministri dyshohet se ka dhënë favore qeveritare në këmbim të pasqyrimit pozitiv mediatik në një portal lajmesh. Të dyja palët kanë mohuar çdo shkelje.

Në Dosjen 2000, hetimet lidhen me një marrëveshje të pretenduar mes Netanyahut dhe një tjetër manjati të medias. Gjyqtarët ngritën pikëpyetje nëse veprimet e pretenduara në këtë rast arrijnë nivelin e një vepre penale.

Ndërsa Dosja 1000 lidhet me dyshimet se Netanyahu ka vepruar në favor të një miliarderi australian, pasi kishte marrë prej tij dhurata luksoze, përfshirë puro dhe shampanjë.

Në këtë rast, gjyqtarët nuk e përjashtuan mundësinë e një dënimi, por sugjeruan shqyrtimin e një zgjidhjeje përmes marrëveshjes. Prokurorja e Përgjithshme, Gali Baharav-Miara, deklaroi se do t’i shqyrtojë rekomandimet e gjyqtarëve.

Çështjet gjyqësore kanë tronditur politikën izraelite dhe kanë thelluar përçarjet mes kampeve politike. Kundërshtarët e Netanyahut pretendojnë se frika nga burgu ka ndikuar në vendimmarrjen e tij si kryeministër dhe e ka bërë atë më të varur nga partnerët e tij të ekstremit të djathtë për të qëndruar në pushtet.

Zhvillimi i fundit vjen në një moment të rëndësishëm politik, pasi kundërshtari i tij, Gadi Eisenkot, po përpiqet të formojë një qeveri koalicioni pas zgjedhjeve të përgjithshme të muajit të kaluar, të cilat nuk prodhuan një shumicë të qartë.

Edhe pse blloku parlamentar i Netanyahut siguroi më shumë vende se ai i rivalit, asnjëri nuk arriti shumicën e nevojshme. Presidenti i Izraelit i ka dhënë Eisenkotit mundësinë e parë për të formuar qeverinë e re.

Ndërkohë, Netanyahu vijon të jetë subjekt i një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Edhe këto akuza ai i mohon.

Top Channel